Punësoni, tërhiqni pjesën e lëkundur dhe sidomos të zhgënjyerit nga dy partitë e mëdha, PD dhe LSI! Këto kanë qenë “udhëzimet” e qarta të dhëna nga Ditmir Bushati dhe Senida Mesi në mbledhjen me socialistët e Shkodrës.
Ndonëse e cilësuar si “rutinë” nga Bushati, Ministër i Jashtëm, njëherazi dhe kordinator politik i PS-së në këtë qark, burime të Faxnews bëjnë me dije se, në këtë mbledhje theksi është vënë tek zgjedhjet e ardhshme vendore.
Rritja e numrit të anëtarësimeve në këtë qark, sipas burimeve, do të bëhet nëpërmjet joshjes me punësime dhe “thithja” e të lëkundurve apo të pakënaqurve nga partitë opozitare.
Gjithashtu zv.kryeministrja Mesi si dhe ministri Bushati u kanë kërkuar drejtuesve të institucioneve dhe krerëve të grupseksioneve të jenë të afërt me qytetarët, t’u japin zgjidhje problemeve të tyre duke mos i zvarritur dhe sorollatur dyerve të institucioneve.
Largimet masive nga kampi opozitar kryesisht nga këshillat bashkiakë nëpër qarqe nuk janë komentuar deri më tani nga asnjë për anëtarëve të kabinetit qeveritar, vetë kryeministri apo ndonjë drejtues politik në PS duke nënkuptuar një largim vullnetar të tyre.
Por a ka në fakt një kordinim politik vertikal nga lart- poshtë për të tërhequr elektorat nga kampi PD-LSI?!