Një autobus i linjës Prishtinë-Lubjanë, është aksidentuar në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme.
Sipas raportimeve mediatike flitet për mbi 10 persona të plagosur, që të gjithë shqiptarë, mes tyre edhe drejtuesi i mjetit.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 05.00 të kësaj të mërkure, ndërkohë që të plagosurit janë dërguar në spitalin e Prokuples në Serbi.
Autobusi i kompanisë ‘R-Gashi’ ka dalë nga rruga në drejtim të Nishit dhe është përmbysur teksa po shkonte për në Kosovë.
Mësohet se Blerim Bajraktari, lindur më 1970, dhe Ramadan Brahimi lindur më 1960, janë dy kosovarët që janë në gjendje të rëndë në Serbi.
Shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberi, ka konfirmuar emrat duke thënë se vetëm këta dy persona janë me lëndime të rënda të natyrës ortopedike.
Megjithatë, ka thënë se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
“Sipas informatave të fundit, të konfirmuara, janë vetëm 2 shtetas tanë qe ende mbeten të hospitalizuar në Qendrën klinike spitalore në Nish, Blerim Bajraktari, lindur më 1970, dhe Ramadan Brahimi lindur më 1960, me lëndime të rënda të natyrës ortopedike por me gjendje stabile”, ka thënë Zyberi.
Nëntë persona pësuan lëndime në orët e hershme të mëngjesit, kur një autobus pasagjerësh doli nga rruga pranë Kurshumlisë në Serbi./express