Mbledhja e fundit e grupit parlamentar të PD-së duket se nuk ka qenë edhe aq e qetë. Teksa ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë duke denoncuar abuzimet me tenderat nga ana e qeverisë, deputeti Myslim Murrizi e ka kundërshtuar atë.
Sipas Murrizit PD-ja duhet të shqetësohet fillimisht për njerëzit e tyre që vijojnë të marrin tendera nga qeveria e Ramës.
Shqetësimi kryesor i ish-Kryeministrit lidhej me koncesionin e lojërave të fatit që, sipas Berishës, janë në duart e Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit dhe Endri Meksit, djalit të ish-Kryeministrit demokrat, Aleksandër Meksi. Sipas Berishës, ortakëria mes Olsi Ramës dhe Endri Meksit ka vënë nën kontroll lojërat e fatit, duke krijuar një skemë pastrimi të parave të pista, shkruan gazeta ‘’Panorama”.
Murrizi ka kujtuar në Grupin Parlamentar se ish-funksionarë të PD-së si, Ridvan Bode, Keltis Kruja dhe Fabian Topollaj, marrin tendera nga qeveria.
Pjese nga debati Berisha-Murrizi:
Sali Berisha: Unë do të kërkoja që të gjithë deputetët e PD, të denoncojnë fort të gjithë tenderat dhe koncesionet korruptive të qeverisë. Është e papranueshme që vëllai i Kryeministrit të vendit, Olsi Rama, ka vënë nën kontroll lojërat e fatit. Është shumë e thjeshtë, Oldi Rama është bashkortak në kompaninë “Pegasus Communication”. Kjo kompani është në pronësi të Endri Meksit, i cili njihet dhe dihet që është ortak dhe mik i Olsi Ramës…
Myslim Murrizi: Doktor, këta deputetët që janë këtu, janë të rinj dhe kanë ardhur në parti me korrespondencë. Unë jam që ta fillojmë me këta tanët, që edhe thonë që jemi opozitarë edhe i bëjnë opozitë opozitës, në një kohë që joshen dhe marrin tendera nga qeveria. Pse nuk flasim për shoferin e Bodes dhe vëllain e Keltis Krujës?…
(E.K/FAXWEB.AL)