Një ndeshje e çmendur në javën e parafundit të La Liga-s mes Levante dhe Barcelonës. Pas fërshëllimës së fundit, Levante arrin një fitore historike 5-4 duke i prishur ecurinë rekord katalanasve që deri sot nuk kishin humbur asnjë ndeshje në kampionat.
Surpriza e madhe ishte mungesa e Leo Messi-t, i cili është lënë pushim nga Valverde, ndërsa Enis Bardhi me dy golat e tij fantastikë ka fundosur miqtë tashmë kampionë.
Ishte Boateng ai që brenda gjysmë ore shënoi një dopietë që shtangu Barcelona-n. Pak përpara se të përfundonte pjesa e parë Coutinho i rifut në lojë vizitorët. Pas pushimit vijnë tre gola brenda dhjetë minutave nga vendasit. Bardhi e nis me një perlë nga distanca, pas tij Boateng dhe sërish Bardhi pas një aksioni model.
Gjithçka dukej e mbyllur dhe rekordi i hedhur tutje, por dy golat e Coutinho-s dhe një i Suarez me penallti rihapin gjithçka me 20 minuta të mbetura. Barça del në sulm ndërsa vendasit të hutuar mundohen të mbrojnë rezultatin me çdo kusht. Por nuk ndodh asgjë, Levante ruan avantazhin duke marrë një fitore që do të mbahet mend gjatë nga tifozët.
(E.K/FAXWEB.AL)