Presidenti Ilir Meta nëpërmjet një postimi në faqen e tij të ‘Facebook’, ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e parakohëshme të futbollistit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Sipas Metës, Vokrri ishte një talent që frymëzoi jo vetëm Kosovën por edhe Shqipërinë.
Gjithashtu presidenti ka shkruar, se pak kohë më parë ka nënshkruar shtetësinë shqiptare për Fadil Vokrrin. Kjo ka qenë një krkesë e FSHF-së, për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare.
Satusi i plotë:
“Ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, është një lajm shokues për të gjithë shqiptarët që e kanë ndjekur e adhuruar shkëlqimin e talentit të tij si sulmues e golashënues i Prishtinës, por edhe ekipeve të njohura europiane të Partizanit të Beogradit, Fenerbahçe e madje edhe të përfaqësueses së ish-Jugosllavisë. Fadil Vokrri me talentin dhe suksesin e tij frymëzoi shumë fëmijë shqiptarë kudo për të ecur në shembullin e tij. Me personalitetin e tij ndërkombëtar ndihmoi integrimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Pak ditë më parë pata kënaqesinë të firmosja dhënien e shtetësisë shqiptare për Fadil Vokrrin me kërkesë të F.SH.F për kontributin e tij të veçantë në mbështetje të futbollit tonë e sidomos ekipeve kombëtare. Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Fadil Vokrrit, Federatës së Futbollit të Kosovës, mbarë botës shqiptare të futbollit, jam i bindur se personaliteti i jashtëzakonshëm që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit!”
(E.V/Faxweb.al)