Një grup i organizuar kriminal është shkatërruar nga policia e Korçës, duke vënë në pranga edhe 7 nga anëtarët e saj. Siç raporton policia, grupi po hetohej prej muajsh, si një strukturë e organizuar kriminale në fushën e kultivimit të lëndëve narkotike.
Selman Bitaj, 40 vjeç, i dënuar më parë (në rolin e organizatorit), R.B, 17 vjeç,(kultivues), Poliksen Haxhiraj 25 vjeç, (kultivues), Armand Pashollari, 30 vjeç, (kultivues), Jani Ibrahimllari, 49 vjeç,(kultivues), Vendim Fejzaj, 27 vjeç, (kultivues) dhe Ligor Fejzaj, 56 vjeç, i dënuar më parë janë arrestuar në flagrancë.
Mësohet se policia ka shpallur në kërkim dy shtetas të tjerë dhe ka ndaluar kryeplakun e fshatit Enver Pashollari, 59 vjeç.
Njoftimi i policisë
Policia e Korçës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, pas një hetimi disa mujor ka goditur një grup kriminal në fushën e kultivimit të narkotikëve. Operacioni është ndjekur me metoda speciale hetimi, përmes përgjimit, vëzhgimit, kamulfimit dhe agjentëve policor të atashuar në zonën ku ishte planifikuar të zhvillohej aktiviteti kriminal në fshatin Velçan. Hetimi intensiv, nisi me regjistrimin e çështjes në Prokurori dhe mbajtjen nën vëzhgim të personave të dyshuar që porositën dhe po merreshin në terren me mbjelljen dhe kultivimin e bimëve të kanabisit.
Qëllimi ishte, ashtu siç u finalizua gjatë operacionit policor, të goditeshin jo vetëm kultivuesit, por edhe organizatorët dhe sponsporizuesit e këtij aktiviteti kriminal. Kështu janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas dhe 2 u shpallën në kërkim, disa prej tyre të implikuar edhe më herët në kultivim dhe shitje droge.
Ata janë:
- Selman Bitaj, 40 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, (në rolin e organizatorit)
- R.B, 17 vjeç,(kultivues)
- Poliksen Haxhiraj, 25 vjeç, (kultivues)
- Armand Pashollari, 30 vjeç, (kultivues)
- Jani Ibrahimllari, 49 vjeç,(kultivues)
- Vendim Fejzaj, 27 vjeç, (kultivues)
- Ligor Fejzaj, 56 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, të cilit iu gjet dhe sekuestrua një armë tip “Shotgun”, pa leje (në rolin e rojes).
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
- N.I, 36 vjeç,(organizator)
- E.Ç, 26 vjeç, të dy të dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” (bashkëpunëtor në kultivim).
Në lidhje me këtë rast u bë ndalimi edhe i shtetasit Enver Pashollari, 59 vjeç, me detyrë Kryetar i fshatit Velçan, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos raportuar veprimtarinë kriminale të shtetasve të mësipërm.
Gjatë operacionit u dokumentua veprimtaria kriminale e ushtruar në territorin e fshatit Velçan, Njësia Administrative Gorë, në të cilin u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan një sasi bimë të dyshuara Cannabis Sativa. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.
(J.D/Faxweb.al)