Deputeti i PD-së Edmond Spaho i është rikthyer edhe njëher çështjes shumë të përfolur të ish pjesëtarit të bandës së Aldo Bares, Edmond Bego dhe lidhjes së tij me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, por edhe me imamin Ahmet Kalaja.
Spaho përmes një postimi në facebook, shpërndan një artikull ku tregon se Balla ndodhej në një makinë me Begon, krahas tij ai nuk ngurron edhe të pyesë publikisht Imamin Ahmet Kalaja nëse ndodhej së bashku me ata të dy.
“Mos ka qene edhe hoxha ne makine me keta dy “te pafajshemit” qe i mori ne mbrojtje?”, shkruan Spaho në postim.
Kujtojmë që para disa ditësh imami Ahmed Kalaja i doli në mbrojtje Begos duke kërkuar që të mos shkelet dinjiteti i tij për një gabim të së kaluarës.
“Rasti i Mond Begos, Zoti i falte abuzuesit me dinjitetin e tij!
“I penduari nga një gabim konsiderohet si një i pafajshëm tek Zoti”. Kështu sanksiononte Profeti Muhamed para 15 shekujsh.
Mirëpo Islami nuk është mjaftuar me kaq po na mëson se vuajtja e dënimit është pjesë e pendimit si edhe domosdoshmëri për funksionimin e pendimit, siç edhe na mëson se në momentin që drejtësia të dënon për një gabim dhe ti e vuan atë dënim nuk ka kush më të drejtë të hedhë baltë mbi dinjitetin e dikujt.
Por fatkeqësisht shoqëria jonë, e etur për t’i bërë gjyqin njerëzve si dikur, ia kalon dhe Gjykatësit Suprem duke ia përmendur gjithmonë gabimin edhe nëse për këtë gabim e ke marrë një herë dënimin. Kështu po ndodh dhe me rastin e Mond Begos. Një qytetar i cili e ka shlyer dënimin dhe ka plotësisht të drejtën të jetojë i qetë nga hijet e së shkuarës.
Në statusin e imamit të xhamisë që z. Bego frekuentonte, më lind e drejta të them se e njoh si një njeri të rregullt dhe korrekt. Një familjar që sakrifikonte gjithçka për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tij. Por jo vetëm, ai është prind dhe për shumë jetimë, duke u dhënë pension mujor shumë prej tyre, e disa të tjerëve u ka rregulluar dhe shtëpitë, përkushtimet e tij ndaj njerëzve në nevojë saqë një status do të zgjatej shumë edhe do të humbte sensin, po që jam i sigurt se ai kurrë nuk do ta dëshironte që të përmendim gjëra të tilla se qëllimi i tij nuk ka qenë reklamimi.
Le të merremi me të tashmen tonë dhe të mos e përdorim të shkuarën e dikujt për kapital politik.
Pa dyshim që shumë shpejt gjërat u zbardhën edhe u sqaruan.
Tani pyetja është: a do të gjejnë faltore apo altar ku të falen abuzuesit me dinjitetin e tjetrit për padinjitetin e tyre?!”, shkruante ai në postim.
(J.D/Faxweb.al)