Një ditë pas ridërgimit të kërkesës për të dekretuar Sandër Lleshin, presidenca ka reaguar në një deklaratë për mediat, përmes zëdhënësit Tedi Blushi, i cili thotë se Meta ka nisur konsultimet me disa institucione.
Në njoftimin e Presidencës thuhet qartësisht se prioritet mbetet zbatimi rigoroz i Kushtetutës, por edhe moscënimi i Sigurisë Kombëtare, në të cilën Ministria e Brendshme ka një rol kyç.
Edhe gjatë një dalje publike gjatë ditës së djeshme presidenti Meta iu kërkoi që të gjithë kritikëve të lexonin fillimisht Kushtetutën, pasi në asnjë rresht nuk thuhet që presidenti të ketë një rol ceremonial në dekretimin e ministrave.
REAGIMI I PRESIDENCËS:
Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi në lidhje me propozimin e ri për emërimin e z.Sandër Lleshaj si Ministër i Brendshëm
Prej ditës së djeshme, pas mbërritjes së propozimit, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka nisur procesin e bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse për të marrë përgjigje të qarta, të plota dhe shteruese ndaj të gjitha çështjeve për të cilat Presidenti nuk mundi të sqarohej herën e parë, pavarësisht nga përpjekjet e tij të vazhdueshme për bashkëpunim.
Lidhur me këtë proces të ri, Presidenti ka vendosur të informojë mbi kërkesat e tij edhe Kryetarin e Kuvendit, pasi procedura e emërimit të një ministri është proces bashkëpunimi i detyrueshëm e kushtetues midis tre institucioneve (Kryeministri, Presidenti, Kuvendi).
Presidenti Meta është i vendosur të përmbushë përgjegjësitë e tij kushtetuese me rigorozitet dhe brenda afateve kushtetuese, vetëm në interes të respektimit të Kushtetutës dhe forcimit të sigurisë kombëtare ku Ministria e Brendshme ka një rol kyç.
(E.K/FAXWEB.AL)