Ish-kryeministri Sali Berisha gjykon se “shkaku i ekzekutimeve mafioze dje në Vlorë është eliminimi i dëshmitarëve”, duke iu referuar kështu edhe mesazhit të një qytetari, publikuar në profilin e tij në Fb.
“Njëri nga të vrarët në Vlorë, – shkruan denoncuesi në mesazh, – ai që ishte edhe i zoti i makinës, ka qënë pjesë e përgjimeve të drogës mes oficerëve të Policisë dhe grupit të Habilajve.
Fakti që po nxitojnë të përmendin faktin se i plagosuri ka qënë në bandën e Gaxhait në 1997, shërben për të mbuluar ndoshta shkakun e vërtetë, domethënë që po hiqen qafe dëshmitarët,” nënvizon ai.
Vrasja e djeshme në Vlorë:
Një vrasje e tipit mafioz tronditi gjatë ditës së djeshme qytetin e Vlorës, ndërsa objektivi i atentatit arriti ti shpëtonte vdekjes. Objektivi i autorëve ishte Armando Sulejmani, i njohur me pseudonimin “Çipuri”, i cili u plagos rëndë, dhe u transportua drejt spitalit.
Të vdekur mbetën Orest Rexho dhe Arjan Hasani, të cilët janë kunati i 42-vjeçarit Armando Sulejmanit, dhe shoku i tij, fotot e të cilëve mund ti shihni dhe më poshtë.
Banorët e zonës u shprehën se ata ishin të terrorizuar nga ngjarja, ndërsa breshëria e armëve ka vazhduar për disa minuta. Nga policia në vendngjarje u gjetën mjaft plumba, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi, dhe dogjën makinën në zonën e Babicës. Brenda mjetit që iu vu flaka policia gjeti dhe tre armë kallashnikovë.
Kush është Armando Sulejmani:
Armando Sulejmanit i është bërë atentat edhe në vitin 2016, teksa hynte në banesën e tij në lagjen “Pavarësia”, ku i shpëtoi 11 plumbave duke e kapur vetëm njëri prej tyre. “Çipuri” njihet si person me precedentë të shumtë penal. 42-vjeçari njihet nga policia si anëtar i bandës së Gaxhait. Ai ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje, ndërsa e ka fituar lirinë rreth 3 vite më parë.
Në një informacion paraprak për ngjarjen, policia tha se “një grup i posaçëm hetimor u ngrit menjëherë dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e ndalimin e personave të implikuar në ngjarje. Për shkak të hetimeve nuk mund të bëhen të ditura detaje të tjera”.
Në janar të këtij viti në një tjetër atentat në Vlorë mbeti i plagosur Mikel Mehmeti nga Selenica e Vlorës, njohur si anëtar i bandës së Llanajve. Llanajt njihen për masakrën e Çolës, ku pas një sherri në kazino në prill të vitit 2015, u vranë 3 të rinj. Një nga autorët e masakrës është Aleksandër Llanaj, që po vuan dënimin në burg.
Çipuri ka qenë i dyshuar edhe për një atentat të dyfishtë në nëntor të 2018-ës në qytetin e Durrësit.
(E.K/FAXWEB.AL)