Projekti më i fundit për ndërtimin e një termocentrali me gaz në Korçë shumë afër zonave të banuara ka sjellë kundërshtimin nga Partia Demokratike e këtij qarku. Me një deklaratë publike Partia Demokratike ka kundërshtuar ndërtimin e këtij termocentrali duke e cilësuar atë si vepër korruptive që rrezikon jetën e qytetarëve me nivelet e larta të ndotjes.
Në deklaratën e saj opozita cilëson termocentralin si përbindësh ekologjik që do që do shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme mjedisin. Sipas PD-së këtë të vërtetë po mundohet ta fshehë kreu I Bashkisë, Sotiraq Filo. Më herët kryebashkiaku është shprehur në një dalje për mediat se nuk do të lejojë ndërtimin e TEC-it nëse ai nuk do të ngrohë qytetin.
“Pa hyrë në detaje teknike, vetëm po ti referohemi fuqisë së instaluar prej 580MW të këtij TEC-i ndërkohë që për ngrohjen e qytetit mjafton vetëm 15MW, është mëse e qartë se qëllimi i investitorit, që bujarisht po sjell në Korçë 400 mln euro, është prodhimi i energjisë elektrike nga gazi natyror, që më pas do shitet ne tregun e huaj” shkruhet në deklaratën e lëshuar nga opozita.
Sipas PD-së Korçë, Niko Peleshi pasi nuk mundi të sillte në Korçë një TEC me qymyr natyror, kur ishte numri dy i qeverisë, firmosi lejen për projektin në fjalë.
Gjithashtu Partia Demokratike është shprehur se ky projekt është zhvilluar pa marrë mendimin e ekspertëve dhe se do rrisë me 25 herë nivelin e ndotjes.
Ky termocentral parashikohet që të përfundojë brenda vitit 2021, një investim që do të shtrihet në Zëmblak, Pojan, Kuç i Zi, Belorta, Dishnicë,Barç, Malavec dhe Neviçisht.
Projekti i kopmanisë shqiptare “Gas Power Plant Korça” me aksioner të vetëm IVICOM do të shtrihet në një sipërfaqe 909 182 ku sipërfaqja prej 245 208 m2 nevojitet për përdorim të përhershëm parashikohet të arrijë në vlerën 350 milion euro. Ai propozohet të jetë tërësisht privat, pa asnjë ndikim në Buxhetin e Shtetit. Impianti synon të furnizohet me gaz nga projekti i gazsjellësit TAP sipas një kontrate që do të negociohet me kompaninë TAP ag dhe furnizuesit e gazit, ndërsa ujin për kodensim (në sasinë 460 m3/orë) (128 l/s) parashikohet të merren nga impianti i pastrimit të ujerave të qytetit të Korçës ashtu sikundër parashikohet edhe hapja e dy puseve me kapacitet 20-30 litra/s secili.
Energjia elektrike e prodhuar synohet të transmetohet tek nënstacioni elektrik Zëmblak duke dalë në treg të lirë me një qasje treg rajonal pa parashikuar si kusht nënshkrimin e një marrëveshjeje (PPA) me qeverinë shqiptare.