Kuvendi i Kosovës ka kaluar me 69 vota pro në shqyrtimin e dytë projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Shfuqizimi i tërësishëm i ligjit nënkupton mbylljen edhe të Lotarisë së Kosovës. Tashmë pritet që Qeveria të sjellë një ligj të ri veçmas për këtë lotari në mënyrë që ajo të hapet përsëri.
Me 69 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim është shfuqizuar Ligji për Lojërat e Fatit, që do të mbyllë të gjitha lojërat e fatit në vend.
Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion, tha se komisioni që ajo udhëheq ka mbajtur mbledhje, mirëpo nuk kanë dalë me një rekomandim.
“Ne kemi diskutuar për afër një orë por ka pasur dilema për licenca dhe tashmë u njoftova se licencat janë pa afat, duke pasur parasysh disa diskutime dhe disa çështje për Lotarinë e Kosovës, ne nuk kemi rekomanduar asgjë”, ka thënë ajo.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate dhe anëtar i Komisionit për Legjislacion, Bilall Sherifi, ka thënë se arsyeja pse ky komision ka dalë pa rekomandim është sepse duhet takim me ministrin e Financave dhe me aktorë të tjerë, në mënyrë që të japin rekomandime.
“Deputetet kanë të drejtë të votojnë çka të duan. Ne kemi parë se a ka shkelje në rrafshin ligjor. Ne kemi nevojë si komision që ta kemi në takim ministrin e Financave e akterë të tjerë që të dalim me rekomandim”, ka thënë ai
Brenda ditës, në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt me kërkesë të kryeministrit RamushHaradinaj, u votua projektligji në dy leximet.
Edhe pse për këtë projektligj u deklaruan pro grupet parlamentare, gjatë seancës pati debate e përplasje lidhur me lojërat e fatit.
Disa deputetë vlerësuan se me ndalimin e lojërave të fatit, ato do të vazhdojnë funksionimin e tyre jashtëligjshëm.
Lojërat e fatit paguajnë mbi 30 milionë euro në vit në formë të tatimeve, akcizës etj. Pas ndalimit të tyre veç humbjes së 30 milionë eurove edhe 5 deri në 6 mijë punëtorë do të mbeten pa punë.
Këtë e ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Lojërave të Fatit, Istref Veliu, në deklaratën e dhënë për media ditë më parë.
Kjo shoqatë ka pasur të mbledhje dje, por ende nuk kanë marrë ndonjë qëndrim se si to të veprojnë.
Ndërkohë, sipas njohësve të fushës, Kosova nga kompanitë e huaja mund të paditet për një ndërprerje pa paralajmërim. http://www.monitor.al/pas-shqiperise-edhe-kosova-paralajmeron-mbylljen-e-kazinove/ Fatos Shala për Monitor.al/.