Projekti i Unazës së Madhe në kryeqytet është shoqëruar me përplasje të shumta mes banorëve të shtëpive që preken dhe punonjësve të IKMT-së dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Mëngjesin e sotëm ka një situatë të tensionuar pranë zonës së Stacionit të Trenit, ku planifikohet që të prishen 38 godina në kuadër të zgjatimit të Bulevardit të Ri.
Banorët janë duke bërë rezistencë, dhe duket se kushtet e motit, e bëjnë edhe më të vështirë situatën, për shkak se qytetarët janë gjetur të pa paralajmëruar.
Banorët po tentojnë që të hyjnë në banesa, në mënyrë që të mbrojnë godinat me trupat e tyre, ndërsa në zonë ka një numër shumë të madh punonjësish të policisë, të cilët kanë krijuar një kordon.
Qytetarët nuk janë kundër prishjes së banesave, po ata kërkojnë zhvlerësim sipas çmimeve të tregit, ndërsa thonë se janë prerë në besë nga Bashkia e Tiranës, pasi iu ishte paralajmëruar dëmshpërblim.
Një pjesë e grave kanë marrë në duar dhe gurë, ndërsa thonë se nga banesat e tyre do të dalin vetëm si kufoma.
Një prej qytetarëve u shpreh se banesa e tij ishte vlerësuar nga ana e Bashkisë me një vlerë prej 75 milionë lekë të vjetra, mirëpo nuk i është dhënë asnjë dëmshpërblim, pasi sipas tij paratë e Buxhetit për këtë aks janë vjedhur.
Nga ana tjetër banorët thonë se vetëm 7 familjeve iu ka shkuar lajmërimi se shtëpia e tyre do të prishej.
Ndërkohë që një prej zonjave i ka rënë të fikët, dhe ambulanca edhe pse ndodhej disa metra larg banorëve, nuk ka ofruar as ndihmën e parë për qytetaren.
Me kalimin e minutave situata është tensionuar edhe më shumë, ndërsa kanë ndërhyrë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Një prej grave pretendon se e ka qëlluar një prej punonjësve të Policisë me grusht.
(E.K/FAXWEB.AL)