Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është bashkuar protestës që po mbahet që prej orës 10:00 përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku kërkohet lirimi i dhjetra protestuesve të ndaluar gjatë natës së kaluar.
Basha tha përpara protestuesve se vetëm pak orë më parë Edi Rama e shndërroi Tiranën në një fushë betëje me qytetarët në betejën për liri, demokraci, kushtetutë dhe shtet të të drejtës.
“Vetëm pak orë më parë e gjithë qendra e Tiranë, rrugët e sheshet, shtëpitë e Tiranasve u mbushën nga dozat luftarake të gazit helmues dhe gazit lotsjellës, që ishte akti kriminal, me të cilin kjo juntë kriminale u përgjigjet aspiratës së shqiptarëve për liri e demokraci.
E kanë të kotë. Populli, opozita, shqiptarët nuk ndalen.
Javë pas jave e muaj pas muaji që nga dita kur Edi Rama e mori pushtetin me bandën e krimit është asgjësuar cdo institucion. Parlamenti ishte i pari që ra. Në ato karrige ulen sot figurina që janë zgjedhur me gishtat, duart, mendjet e krimit dhe jo me votën e lirë të shqiptarëve. Ata nuk përfaqësojnë as demokratët, as socialistët, por faqen e zezë, llumin që e ka marrë peng këtë vend.
E gjithë Shqipëria e bashkuar kundër një grushti horrash që përmes një grushti shteti kanë instaluar juntën në vend. Junta I ka orët e numëruara, Maduro i Ballkanit I ka orët e numëruara. Skenari i dhunës që vuri dje në lëvizje me kriminelë të veshur me uniform, me kriminelë të tjerë të infiltruar në turmën e protestuesve paqësorë, skenari i shërbeu Ramës vetëm për të treguar para botës se i vetmi I interesuar për dhunë është kreu i Juntës
Qeveria është shndërruar në një juntë kriminale që i ka ditët e numëruara që dhunon qytatarët e vet. U dhunuan dje edhe të rinj e të reja të ardhur nga vendet ku studiojnë dhe punojnë në Bashkimin Europian, u helmuan të huajt që kishin ardhur në krah të popullit shqiptar. Beteja do të vazhdojë me fuqishme më e fortë, çdo ditë, në çdo qytet, në çdo rrugë.
Thirrje për intelektualët, biznesmenët sipërmarrësit, për artistët shqiptarë siç na jeni bashkuar bashkohuni me ne dhe të vazhdojmë këtë rrugë. Kjo nuk është një betejë sasiore por cilësore, ne jemi mazhoranca numerike dhe reale e vendit”.
Basha ftoi qytetarët që ti bashkohën protestës së nesërme duke thënë që duhen ndarë disa orë me njëri-tjetrin që të mos ndajnë dhimbjen për dekada e shekuj në vijim.
(F.GJ/FAXWEB.AL)