Gjashtë muaj më parë në kryeqytet bashkia e Tiranës ka hequr emrin e një rruge në Selitë, që mbante emrin e muzikantit të shquar “Mentor Xhemali”, i njohur edhe për këngën “Për ty atdhe”.
Gazetarja e Fax News, Eksiola Shehu ka intervistuar djalin e muzikantit, Maksim Xhemali.
“Më lajmëroi një shok, erdhëm e pamë. I këndoi atdheut, por u harrua. Ka 6 muaj që është hequr emri i rrugës në Tiranë, në zonën e Selitës. Gjithë ai artist i madh, është këngëtar i njohur”, tha Maksimi.
Gazetarja Shehu: Deri më tani keni bërë dy kërkesa drejtuar bashkisë të Tiranës. Cila është përgjigjja?
“S’kanë ardhur nëpunësit. Në fund të muajit thanë hajde edhe njëherë. Është e tmerrshme, kaq zor i madh qenka t’i vendoset sërish. Është gjeniu i muzikës klasike.
Kam një kërkesë: Shikojeni këtë punë, se ai është i vetmi artist i popullit partizan”.
Gazetarja Shehu: Keni dijeni nëse emri I është vendosur një rruge tjetër?
“Jo asnjë rruge tjetër”, u shpreh djali i artistit të popullit.