Nga: Enver Bytyçi
Përgjimet e publikuara sot nga gazeta më e madhe europiane dhe gjermane “BILD” duhet ta shembin nga themelet sistemin e mafies në qeverinë dhe institucionet e shtetit që krijoi Edi Rama! Nuk mund të qendrojnë në këmbë jo vetëm kryeministri e as vetëm qeveria e tij. Duhet shembur çdo ngrehinë mafioze dhe institucion që ka vetëm pak lidhje me të. Me dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë duhet të ngrihet menjëherë një qeveri tranzitore me njerëz jo partiakë, e cila të përgatitë kalimin e Shqipërisë në një sistem të ri. Afati kohor i këtij tranzicioni ka nevojë të jetë së paku 5-6 muaj.
Së pari duhet të imponohet parlamenti i krimit mafioz që të votojë një paketë ligjesh kushtetuese e jokushtetuese për të ndaluar përfaqësimin dhe angazhimin e mafies në zgjedhje dhe në jetën politike e publike të Shqipërisë. Menjëherë pas kësaj ky parlament duhët të shpërndahet. Duhet të anulohen menjëherë zgjedhjet e 28 qershorit dhe kandidaturat të përshtaten me ligjin e ri.
Në sistemin e ri të reformuar me ligjet përkatëse duhet t’i ndalohet të gjithë atyre që janë implikuar në manipulmin e zgjedhjeve, përfshirë Edi Ramës, që të bëjnë fushatë elektoraledhe të kandidohen për poste publike në zgjedhjet lokale ose ato kombëtare. Sistemi zgjedhor duhet të jetë mazhoritar, së paku në 100 zona. Përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet me kritere fikse të shprehura në kodin e ri zgjedhor.
Në 5-6 muajt e tranzicionit duhet të reformohet i gjithë sistemi që shërben për përzgjedhjen e njerëzve dhe partive politike që do ta qeverisin Shqipërinë. Kriteri themelor do të duhet të jetë verifikimi i pasurisë dhe lidhjeve me krimin e organizuar e mafien. Njëjtë si në vetingun për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por jo vetëm kaq. Duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme e të parevokueshme prokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku dhe kryeprokurorja e krimeve të rënda, Donika Prela, si autorë të sabotimit dhe fshehjes për shumë muaj të fakteve që denoncohen në përgjimet e publikuara. Ato të dyja duhen vënë përpara përgjegjësisë ligjore.
Gazeta BILD flet për qeveri mafioze. Në kushtetutë duhet të parashihet ngritja e një prokurorie dhe gjytkate speciale antimafia, e cila të hetojë menjëherë lidhjet e kryeministrit, qeverisë së tij, deputetëve të kuvendit dhe administratës publike me mafian dhe veprimtarinë e saj kriminale. Ndërsa Sajmir Tahiri nuk do të duhej të ngrihej në mëngjes nga krevati i dhomës së tij të gjumit në Kodrën e Diellit. Ai nesër do të duhej ta shihte daljen e diellit nga biruca e 313-ës. Po ashtu Vangjush Dako e te tjere!