Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur pas takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, duke thënë se pozicioni i Kosovës pas këtij takimi është shumë më i fortë.
Ai ka treguar se Kosova është e përkushtuar për vazhdimin e dialogut, ndërkohë ka treguar se me Merkelin ka diskutuar për temën e taksës, por thotë që nuk i është kërkuar heqja dhe se ai vendim do të mbetet.
“E drejta jonë me lëvizë lirshëm. Po ashtu edhe dialogu Kosovë-Serbi. Ajo që mund ta them. Jemi seriozisht të interesuar për dialog. Taksa nuk heqet. Nuk është kërkuar heqja. Është biseduar për të në kontekstin e dialogut, por ajo nuk hiqet”, ka thënë Haradinaj, raporton Gazeta Express.
Haradinaj ka thënë se kërkesa e tij e hapur në Berlin, ka qenë që kanclearja gjermane, Angela Merkel, ta ketë në agjendë Kosovën
“Kosova e meriton rrugën euroatlantike. Koha i është dhënë Kosovës sot, e dëshmon që agjenda e Kosovës ka zënë vend. Është një respekt i Gjermanisë dhe kancelares për Kosovën. Proceset janë në një nivel më të mirë, se sa para këtij takimi. Kosova është në një pozicion më të fortë, se sa para një ore. Unë e kam falënderuar pozicionin e Gjermanisë, sepse e kanë kryer punën e vetë ( për liberalizimin e vizave)”, ka shtuar Haradinaj.
Sa i përket vizave, ai thotë se duhet lobuar që të futet në agjendë, sepse votimin në Këshill të Evropës nuk e sheh si problematik.
“Duhet të punojmë në lobim, që çështja e vizave të futet në agjendë. Kancelarja ishte e interesuar për vazhdimin e dialogut, dhe kornizimin e dialogut. Në kontekst të kësaj, është diskutuar edhe pezullimi i taksës, por nuk ka një epilog me këtë çështje”, potencon Haradinaj.
Sa i përket takimit të Parisit, Haradinaj thotë se atje do të shkojnë për njohjen, pasi vetëm kjo çështje është mund të diskutohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në Paris do të kemi kërkesë për një marrëveshje për njohje reciproke. Ekziston një diskutim i tillë, herë pas herë rikthehet. Por agjenda e Kosova duhet të mbetet. Njohja e Kosovës nga Serbia, dhe nga pesë vendet e BE-së. Si Kosovë, ajo që ka mbet pa u zgjidh është vetëm cështja e njohjes”, ka thënë ndër të tjera ai./