Ditën e djeshme Bashkitë e drejtuara nga partitë e opozitës, i kërkuan KQZ-së që të lironte ambientet e dhëna për KZAZ dhe qendrat e votimit, me pretendimin se ata do ti bindeshin dekretit të presidentit, që ka shtyrë datën e zgjedhjeve.
Një prej bashkive të para që paraqiti këtë kërkesë ishtë ajo e Kukësit, dhe u pasua me qytete të tjera në të gjithë vendin. Pavarësisht se KQZ e refuzoi këtë kërkesë, në ditët në vijim nuk mungojnë indiciet se mund të ketë dhe përplasje fizike, pikërisht për këtë ngërç institucional.
Përmes një letre publike, drejtuar Ramës, kreu i Bashkisë së Kukësit, i kujton kryeministrit se nuk do të ketë asnjë hap pas, pavarësisht kërcënimeve se ndaj tyre do të ndërmerren hapa ligjore.
Reagimi i plotë i Bashkim Shehut:
Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri!
Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, përsa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë.
Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri!
Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.
Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne!
Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në!
(E.K/Faxweb.al)