Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka paditur Këshillin e Ministrave në lidhje me heqjen e pasaportavetë shërbimit të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe tëe apelit.
Padia:
Sot, me datë 11.07.2019, dorëzuam në Gjykatën Administrative të Apelit padinë kundër Këshillit të Ministrave, me objekt shfuqizimin e Vendimit nr. 389/2019, për pjesën që anulon pasaportat e shërbimit të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit dhe për pjesën që heq të drejtën e tyre të pajisen me pasaporta shërbimi.
Dëshiroj të sjell në vëmendje një pjesë nga Vendimi nr. 40/2014 të Gjykatës Kushtetuese mbi interpretimin e nenit 138 të Kushtetutës:
“Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Formulimi i togfjalëshit “përfitime të tjera është i një natyre të përgjithshme dhe nuk konkretizon në mënyrë shteruese rrethin e përfitimeve të gjyqtarëve. Kushtetutbërësi, jo pa qëllim e ka lënë të hapur kuptimin që i duhet dhënë rrethit të përfitimeve, pasi ka synuar të përfshijë në tërësinë e të drejtave që gjyqtarët i gëzojnë në funksion të ushtrimit të detyrës së tyre”.
Kujtojmë se heqja e pasaportave diplomatike për disa kategori ishte një nga vendimet e para të marra nga ministry në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Kjo është bërë duke ndryshuar vendimin nr. 335, datë 2.9.1997, i ndryshuar 18 herë deri në vitin 2009, për shkak të shtimit të herëpashershëm të kategorive që mund të pajiseshin me pasaporta diplomatike dhe shërbimi.
Vendimi i ri heq nga lista për t’u pajisur me pasaporta shërbimi edhe drejtorët e drejtorive në Presidencë, në Gjykatën Kushtetuese, në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtorin e Përgjithshëm i ISSH, drejtorët e departamenteve pranë qeverisë, drejtorin dhe nëndrejtorin e ATSH-së, nëndrejtorin e RTSH, drejtorët e bankave, drejtorin e Arkivave, drejtorin e Doganave, drejtorët e drejtorive në Kryeministri dhe ministri, drejtorin e Përgjithshëm të Rezervave të Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Avokatit të Popullit, drejtori e marrëdhënieve me jashtë në KQZ etj.
(F.GJ/FAXWEB.AL)