Të paktën 24 persona kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur, pasi autobusi me të cilin po udhëtonin ra në një lumë në veriperëndim të Pakistanit, tha policia.
Aksidenti ndodhi në orët e vona të 30 gushtit në zonën Kandian, që gjendet në provincën Khyber Pakhtunkwa.
Policia tha se të gjithë personat që po udhëtonin me autobus, i përkisnin një familjeje, të cilët po ktheheshin nga një dasmë. Lidhur me këtë aksident, policia ka nisur hetimet.
Policia dhe ekipet e shpëtimit kanë hasur vështirësi për të arritur në vendngjarje, për shkak se aksidenti ndodhi në një zonë të largët malore.
Aksidente të tilla rrugore janë të shpeshta në Pakistan, ku shoferët zakonisht nuk respektojnë rregullat e trafikut dhe infrastruktura e dobët rrugore, veçanërisht në terrenet malore në veri të vendit. /Rel/