Presidenti Meta nuk e ka përmbajtur dot ironinë ndaj sjelljes së fundit politike të dy palëve në vend, duke shigjetuar drejtpërsëdrejti PD-në me lëvizjet e fundit të saj.
I pyetur se çfarë do të ndodhte në 18 tetor nëse vendi nuk e merrte rekomandimin për çeljen e negociatave me BE-në Meta është përgjigjur se ai është përpjekur që vendi së pari të mos mbetej pa Gjykatë Kushtetuese.
“Presidenti ka për detyrë t’u shërbejë interesave të vendit. Gjithë përpjekjet e mia ishin që të kishim një rezultat të mirë në provimin e fundit të qershorit që të kalonim dhe provimin e vjeshtës“.
Por Meta nuk e ka kursyer ironinë për të dy partitë e mëdha, sidomos PD-në e cila është në koalicion opozitar me LSI-në, parti e drejtuar prej vetë Ilir Metës para se të bëhej President, tashmë nën kryesimin e Monika Kryemadhit.
“Ndoshta unë jam gabuar se po dëgjojmë lajme të mira. Pavarësisht se unë jam shumë dyshues para se suksesi të ndodhë dhe gotat e shampanjës të ngrihen lart.
Kemi dëgjuar nga ana e maxhorancës, kënaqësi që të dëgjojmë dhe nga ana e PD-së që do të çelen negociatat me 18 tetor.
Ju e dini që presidentin e keni nga vendi i rakisë, por duhet të presim deri më 18 tetor për shampanjën, por maqedonasit kanë një shprehje shumë të gjetur për ata që bëjnë festë para kohe: Mos bëj Bajram me men…
Ndaj jemi ende në kohë që me përgjegjësi maksimale që ta bëjmë një festë të vërtetë 18 tetorin.
Askush nuk mund ta mohojë që kam dhënë një kontribut shumë të madh gjithë këto muaj kur palët përplaseshin njëri nga Vlora e tjetri nga Tirana.
Papritur të gjithë u kënaqën, njëri fitoi 61 bashki, ndërsa pala tjetër fitoi 80 e ca për qind të votuesve. Të gjithë presin lajme të mira, presidenti po pret gotën e shampanjës“, tha Meta.