Një fëmijë nëntë vjeç në Shtetet e Bashkuara është akuzuar për vrasje të shkallës së parë të tre fëmijëve dhe dy personave të rritur për shkak të një zjarri që kishte shpërthyer në një park në Illinois.
Autoritetet nuk e kanë bërë të ditur gjininë e fëmijës, por kanë njoftuar se, përveç akuzave për vrasje, ky fëmijë është tashmë i ngarkuar edhe me akuzën për zjarrvënie të qëllimshme.
Një fëmijë një vjeç, dy fëmijë dy vjeç, një burrë 34 vjeç dhe një grua 69 vjeçe kishin vdekur nga zjarri në parkun për shtëpi të lëvizshme afër fshatit Goodfield, i cili shtrihet rreth 240 kilometra në veriperëndim të Çikagos. Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 6 prill të këtij viti.
Prokurori shtetëror i distriktit Woodford, Greg Minger, nuk dha hollësi të tjera për personin e dyshuar, përfshirë lidhjen e mundshme familjare të fëmijës me viktimat.
Ndryshe, një fëmijë i kësaj moshe nuk është akuzuar për vrasje masive në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2006.
“Ky ishte një vendim i vështirë. Është tragjedi, por në fund të ditës, po e akuzojmë një person shumë të ri me njërën nga akuzat më të rënda që kemi. Sidoqoftë, mendoj se kjo duhet të bëhet në këtë fazë në mënyrë që rasti të përmbyllet”, tha prokurori Minger.
Sipas një avokati mbrojtës, sfida më e madhe e prokurorëve do të jetë dëshmimi i qëllimit paraprak të fëmijës për vrasje, gjë që kërkohet në rastet e vrasjes së shkallës së parë. Ai tha: “Fëmijët nëntë vjeç nuk e dinë që babadimri nuk ekziston. Nuk e di nëse fëmijët e kësaj moshe mund të bëjnë plane për vrasje”, shkruan “The Guardian”.