Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas takimit të zhvilluar ditën e sotme në Ohër, midis kryeministrit Edi Rama, kryeministrit maqedonas Zoran Zaev si dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç për Shengenin Ballkanik.
Basha thekson se dështimi me integrimin europian nuk mund të zëvendësohet nga propaganda anti-europiane e një autokrati të korruptuar, shkaktar i prapambetjes ekonomike dhe varfërimit të qytetarëve shqiptarë.
“Lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit është thelbi i integrimit europian dhe Europës së bashkuar. Parakushte për lëvizjen e lirë janë demokracia, sundimi i ligjit dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Dështimi me integrimin europian nuk mund të zëvendësohet nga propaganda anti-europiane e një autokrati të korruptuar, shkaktar i prapambetjes ekonomike dhe varfërimit të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha që Shqipëria të nxjerrë në dritë potencialin e saj të vërtetë!”- shkruan Basha.