Kryefamiljari Fehmi Vata është një nga të mbijetuarit e tërmetit që ra dje në Shqipëri, dhe që goditi kryesisht zonën e Durrësit dhe të Thumaës.
Vata jetonte në një prej pallateve të shembura në Thumanë, ndërsa brenda rrënojave gjendet ende nipi i tij 7 vjeçar, ndërsa bashkëshortja ka humbur jetën pasi mbroi me trupin e saj, nipin tjetër të familjes, 10-vjeçarin që u bë simbol i mbijetesës.
“Nipi 10-vjeçar më kërkonte dhe më thërriste për ndihmë. Gruan e gjetëm të vdekur në fundin e pallatit, fëmijët jetonin me ne, se djali kishte shkuar 3 muaj në punë jashtë vendit”, shprehet Fehmi Vata, për gazetaren e Fax News Eksiola Shehu, shpresat e të cilit janë të pakta për nipin që gjendet ende nën rrënoja, e megjithatë thotë se Zoti është i madh.
Ai pranon se dhe më herët autoritetet kanë konstatuar se pallati i tyre është i rrezikshëm, por që nuk kishin ku të strehoheshin diku tjetër, ndaj nuk janë larguar.