Situatë tejet e rënduar pas tërmetit 6.4 ballë që tronditi vendin është edhe në Laç. Edhe pse aty është shpallur gjendja e jashtëzakonshme nga kryeministri Edi Rama, gazetarja e Faxnews raportoi se mungon vëmendja e autoriteteve të emergjencave civile.
Sipas saj, deri tani është thënë vetëm që 2 pallate janë të pabanueshme në lagjen nr. 6 dhe janë rrethuar me shirit, por nuk ndodhet asnjë person përgjegjës që të ndihmojë banorët me evakuimin dhe zhvendosjen e tyre tek çadrat e ngritura.
“Janë pallate që mund të konsiderohen të pabanueshme. Vazhdon të ketë rrëshqitje të suvatimeve duke qenë se janë në gjendje tepër të rënduar. Banorët e Laçit kanë rënë dakord për të lënë banesat e tyre. Ka shirita të vendosura jashtë banesave të tyre, por nuk ka asnjë efektiv policie apo punonjës bashkiak apo të emergjencave civile që të monitorohet situata. Banorët janë të vetëm dhe po i transportojnë vetë mobiljet dhe rrobat. Ju është thënë që banesat janë të pabanueshme, por nuk ka asnjë person përgjegjës që t’i udhëheqë. Edhe kur unë isha brenda, kishte rënie të suvatimeve, të pllakave. Bëhet fjalë për 2 pallate që janë shpallur të pabanueshëm, jan vendosur çadra, por banorët po lëvizin vetë edhe pse është shpallur gjendje e jashtëzakonshme”, u shpreh gazetarja në një lidhje telefonike me Faxnews.
Ajo bëri të ditur se dëme të konsiderueshme ka pësuar edhe Spitali i Laçit, ku dy katet e sipërme janë të rrezikshme për pacientët.
“Sipas dëshmive të banorëve nuk ka pasur vëmendjen e autoriteteve të emergjencave civile, mbase sepse në këtë zonë nuk ka pasur viktima. Dëme të konsiderueshme ka patur edhe Spitali i Laçit, dy katet e sipërme janë të rrezikshme”, deklaroi gazetarja.
(M. I./ Faxweb.al)