E nisi duke e quajtur një temë të nxitur artificialisht, dhe e përfundoi duke cituar Biblën dhe Kuranin, për të justifikuar paketën “Antishpifje”, të cilën e ka vendosur që ta kalojë sot në Kuvend, pavarësisht se është një nga projektligjet më të kritikuara në vend, si dhe nga OSBE dhe Këshilli i Europës.
Në një fjalim që zgjati prej më shumë se gjysmë orësh, më shumë sesa referencat e projektligjit, Rama nxori në pah sesa shume e ka vujatur familja e tij shpifjen, ndërsa tha se e ëma është dëguar dhjetra herë drejt spitalit, për shkak të krizave që pëson nga ato që dëgjon në media.
E madje në fjalimin e tij të sajuar shpejt e shpejt, kishte dhe një kunjë për Ditmir Bushatin, i cili e kundërshtoi këtë paketë, duke kujtuar se prindërit e tij e kanë vuajtur vetë shpifjen.
“Nuk po ju flas as për veten time, familjen time, nënën time, vajzën tonë, djalin tim, as për prindërit e Ditmir Bushatit, e familjarët e atyre që janë këtu e andej, familjarët e Ballës, e të askujt tjetër mes nesh po flas për ata që ndryshe nga ne nuk e kanë një mikrofon për të thënë të vërtetën e tyre, nuk e kanë FB live me 1 mln ndjekës sic e kam unë për të treguar që ca bëj, nuk i kanë kushtet tona”, tha më tej Rama në Kuvend.
E ca më tej foli dhe për Rea Xhillarin, vajzën e bashkëshortes së tij, për të cilën akuzoi mediat që ia kanë bërë dashnoren e një ministri, e konkretisht të Gent Cakajt. As më pak dhe as më shumë lidhur me këtë lajm akuzoi ish-mikun e tij Artur Zheji, për të cilin tha se sot do të largohet jashtë vendit në rast se ky ligj lakon në Kuvend.
“Artur Zheji e bëri vajzën tonë dashnore të ministrit dhe tani thotë do largohem nga Shqipëria po u bë ky ligj, mbasi shkoi në gjykatë, s’paraqiti asnjë fakt, ishte një shpikje e ulët. Unë me këta kështu jetoj dhe mbijetoj dhe 1 mijë vjet të tjera, por kjo është për shoqërinë”, tha Rama.
Në vazhdim të pretendimit të tij se media është fajtore për gjithçka, Rama foli dhe për denoncimet që mediat kanë bërë në drejtim të bizneseve që shkelin sigurinë ushqimore, duke thënë se në vendin tonë nuk ka djathë me niseshte, dhe as produkte që iu fshihet skadenca, pavarësisht se të gjithë ne jemi dëshmitarë, që të paktën njëherë në jetën tonë jemi ndeshur me këtë fenomen që rrezikon dukshëm shëndetin e qytetarëve.
‘’Dhjetra sipërmarrës janë të detyruar që shkojnë t’i paguajnë se qumështi është me hormone, specat sjellin deformime në qumështin e nënave. Kështu do bëhen ata duke shkuar në gjyqe, derisa të kenë mbaruar dhe mielli i tyre të jetë bashkuar me niseshte”, tha Rama, duke mos harruar që të gjej shfajësim as në çiltërsinë e Rudina Hajdarit, të cilës i kujtoi sulmet që ka pasur kjo e fundit, pas gafave të herëpashershme në Kuvend.
“Vjen dhe flet Rudina Hajdari, por e harron veten e vet. Ishte vajza e heroit të demokracisë së ngritur në piedestal sa kohë mendonte se duhet folur siç thotë partia. Kur e ndryshoi, e pa vetë se çfarë ndodhi.
Ky ligj nuk e cenon asnjë fije Rudina Hajdari, lirinë e fjalës, të drejtën për të dhënë lajme, por garanton mbrojtjen e të drejtave të tua kur të ulin dhe të ngrenë sipas qejfit kur ti mendon sipas kokës tënde. Nëse ty s’të bën përshtypje, mua më bën përshtypje për të gjithë të tjerët”, tha Edi Rama.
E për të thënë se ky ligj nuk është bërë për të goditur mediat opozitare, Rama përmendi fare pak dhe Mero Bazen, për të cilin tha se drejton një organizatë fantazmë me të cilën gënjen dhe vetë ekspertët e OSBE-së.
“Unë kam patur kontakt edhe me Këshillin e Evropës, dhe iu kam thënë që ju se keni lexuar ligjin dhe jeni nën presionin e organizatave të rreme, si ajo organizata e rreme e Mero Bazes, se ka edhe Mero një organizatë të rreme, që e përdor hera herës për të ngritur çështje për shtypin e lirë. Apo ai që del tek Rai 3 dhe flet për dhjetëra të arrestuar në burgje”, tha Rama nga foltorja, ndërsa siç rrallë e ka treguar në jetën e tij private, u kujdes dhe për vajzat që mediat i kanë shndërruar në prostituta.
‘’Gra dhe vajza që hidhen në tezgën e këtyre, që i bëjnë këta prostituta, këta. Punonjës të shtetit që i bëjnë oligarkë këta. Dhe kjo, s’është cështje opinionesh, se deri më dje si ka shkuar mendja njeriut t’i ndalojë këta kur shkojnë edhe në fyerjet më ekstreme”, deklaroi i shqetësuar Rama, ndërsa ndaj tij vitet kanë treguar se janë ngritur disa padi për dhunë ndaj grave.
Pa folur në asnjë rast se me cilat grupe interesi u hartua ky ligj, dhe as emrat e ekspertëve të cilëve iu ka marrë mendim, Rama u kthye te Bilbla dhe te Kurani, që sipas tij e dënojnë shpifjen si një nga aktet më të rënda.
Si të ishte një Zot i dytë për shqiptarët, Rama la të kuptonte se ishte treguar dorëlëshuar me gazetarët, dhe se paketa Antishpifje as që krahasohej me ndëshkimet që parashikon feja.
I bindur si ta kishte shkruar vetë projektligjin nga fillimi në fund, Rama parashikoi dhe veprimin e presidentit që do ta kthejë pas paketën, duke thënë se hyrja e saj në fuqi nuk mund të bëhet përpara Vitit të Ri, duke qenë se kjo seancë është e fundit për këtë sesion parlamentar.
Me siguri siç ka ditur ti vërë në rresht deputetët sa herë i janë dashur votat, edhe sot Rama do të bëjë të palexuar gazetarët e OSBE-në, dhe do ti grumbullojë kartonat që i duhen për këtë ligj, ndërsa aplikimi i tij do të vihet mjaft në pikëpyetje, sa kohë që vetë mediat kanë premtuar rezistencë deri në fund, qoftë edhe me burgosje.
(E.K/Faxweb.al)