Klandestinët te cilet ishin nisur nga brigjet e Adriatikut me gomone kanë thënë para oficerëve të policisë gjyqësore në Kavajë se ata kishin kohë që qëndronin në qendrën e pritjes në Tiranë, ku ishin kontaktuar nga trafikantët.
Gazetarja e Fax Naws Albana Aliaj raporton se u kërkoheshin nga 2 mijë euro për person që të dilnin të sigurt në brigjet italiane u paguanin trafikantëve emigrantët klandestinë irakenë, iranianë e kurdistanë që u shpëtuan nga mbytja e sigurt të shtunën e javës së shkuar.
“Kemi qëndruar në qendrën e pritjes në Tiranë si emignatë klandestinë. Aty kemi qenë krejtëisht të lirë për të gjetur mundësi që të largoheshim. Aty jemi kontaktuar me persona të ndryshëm të cilët na premtuan se kundrejt shumës 2 mijë euro për person do të na nisnin të sigurt në Itali. Kemi udhëtuar të gjithë sëbashku natën, na kanë sjellë nga Tirana në Spille të Kavajës. Aty na thanë se duhet të hipnim në një skaf, i cili do të na çonte në Itali. Fati ynë i keq ishte që pasi ishim nisur me skaf, mjeti u ça dhe ne rrezikuam të gjithë të mbyteshim. Por skafisti lajmëroi autoritetet dhe ata erdhën e na shpëtuan. Në Shqipëri kemi ardhur në rrugë tokësore, dhe synimi ishte që të shkonim fillimisht në Itali, e më pas tek të afërmit tanë të sistemoheshim në perëndim”, kanë deklaruar ata.
Kujtojmë se 18 klandestinë u shpëtuan nga mbytja në një operacion të zhvilluar nga Guardia di Financa dhe Roja bregdetare shqiptare në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Në skaf gjendeshin 12 burra, 5 gra dhe një fëmijë, të cilët u transportuan në gjendje të mirë shëndetësore në portin e Durrësit. Meqënëse ngjarja ndodhi në ujrat e zonës së Kavajës ishte policia dhe prokuroria e këtij qyteti që mori përsipër hetimin e çështjes.
Deri tani trafikantët shqiptarë me skafe kanë trafikuar si fillim klandestinë nga Vlora e Durrësi drejt brigjeve italianë, por me liberalzmin e vizave ky fenomen mori fund, duke bërë që skafet të përdoreshin në trafikun e drogës më së shumti drejt italisë pohojnë burimet policore.
(F.GJ/FAXWEB.AL)