Kancelarja gjermane Angela Merkel është vetëizoluar. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane.
Mësohet se kancelarja kishte takuar një mjek i cili rezultoi pozitiv me koronavirus.
Zëdhënësi i qeverisë Seibert ka deklaruar se Merkel do kryeje testin për COVID 19, ndërkohë që ka shtuar se ajo do vijojë drejtimin e qeverisë nga karantina në banesën e saj.
Në dy javët e ardhshme në Gjermani ndalohen kontaktet mes njerëzve jashtë familjeve. Ndalohet dalja në rrugë e më shumë se dy personave së bashku. Mund të dalin edhe më shumë persona së bashku, por vetëm nëse janë anëtarë të një familje të ngushtë.
Qëllimi nuk është ndalimi i daljes së njerëzve jashtë, por ndalimi i kontakteve sociale dhe ndërprerja e zingjirit të përhapjes së virusit Corona, i cili në Gjermani ka marrë hov në ditët e fundit. Kështu u vendos në një konferencë telefonike të zhvilluar sot mes kancelares Angela Merkel dhe kryeministrave të landeve të Gjermanisë.