Enriko Ceko, ekspert i ekonomisë në një lidhje me skype me Fax Neës, u shpreh se masat e ndërmarra nga qeveria për tiu dhënë ndihmë bizneseve janë të pamjaftueshme. Ceko tha se për të mos i çuar drejt një kolapsi bizneset, qeveria do të duhej që të ndihmonte me pakta finaciare 300-400 milionë euro, çdo dy tre javë.
Po ashtu eksperti tha se duhet bërë kujdes me fjalë recesion, pasi në kushtet e tanishme, nuk jemi në një tillë, por në një shok ekonomik, që nuk kanë të bëjnë me vetë ekonominë, por me faktor të jashtëm siç është Covid 19.
“Duhen 300-400 milionë euro çdo 25 ditë në mënyrë që të mos ketë një krizë më të thellë ekonomike, ato që ka dhënë qeveria janë të pamjaftueshme.
Duhet të jenë dy tremujorë pas njëri tjetrit, që të kenë ulje ekonomike, në mënyrë që vendi të quhet në reçesion. Ne jemi në kushtet e shokut ekonomik, dhe në këtë rast kjo nuk lidhet me vetë ekonominë, por faktorë të jashtëm.
Qeveria që ne kemi është ajo më e pashkollë që kemi pasur, nuk ka krizë nuk ka reçesion për momentin”, tha Ceko.
Lidhur me garancinë që u është dhënë bizneseve të mëdha për marrjen e kredive në banka, Ceko tha se duhet që të kishte një klauzolë që ata të mos hiqnin punonjës.
Eksperti e vendosi theksin te gjendja sociale, ku qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe me përdorimin e termave si luftë apo shtetrrethim.
“Një nga kushtet që duhet të ketë kredia, është ajo që të ketë një numër të palëvizshëm punonjësish, nga momenti i marrjes së saj deri te ajo e shlyerjes.
Sepse një nga problemet më të mëdha që do të ketë ekonomia, do të jetë ajo e rritjes së papunëve. Koronavirusi në radhë të parë është një qasje sociale dhe psikologjike, duket qartë se qeveria është e papërgatitur që të mbrojë të gjitha shtresat.
Kryeministri duhet ta shikojë mirë fjalën shtetrrethim dhe luftë, pasi janë terma që rëndojnë psikologjinë e qytetarëve. Luftë dhe shtetrrethim ndodh vetëm kur ka përplasje mes dy vendeve. Janë masa jo racionale këto që po merren ndaj publikut, masa deri diku të panevojshme, por edhe shumë të kushtueshme.
Ne iu themi kompani e vogël dhe atyre që kanë nga 1-5 punonjës, ne kompani të mëdha u themi që janë mbi 50 punonjës, ndërsa në Europë quhen kompani të mëdha ato që kanë më shumë se 200-300 punonjës.
Unë mendoj se duhet të ketë një rritje të orareve për bizneset, dhe të kryhen testime fillimisht për punonjësit e kompanive ku vijon aktiviteti. Në Shqipëri mungon shumë transparenca”, vijoi më tej Ceko.
(E.K/Faxweb.al)