Kryeministri Edi Rama do të mbledhë në orën 20:00 të mbrëmjes së sotme Kryesinë e PS-së, për të diskutuar mbi listat e kandidatëve për zgjedhje, duke qenë se afati i dorëzimit të listave skadon në mesnatë.
Gjatë paradites së sotme, u zbulua një listë paraprake ku më së shumti bie në sy renditja e të besuarve të kryetarit të Partisë Socialiste e njëherazi kryeministrit në krye të listave sipas qarqeve përkatëse. Mirëpo ende nuk dihet nëse Rama do fusë emra të rinj, duke ndjekur strategjinë e kreut të LSI-së Ilir Meta, i cili në listat e deputetëve të qarkut të Tiranës, nga 36 kandidatë 19 ishin pikërisht të LRI-së.
Kështu natyrshëm lind pyetja: Po Rama a do ndjekë këtë taktikë dhe të bëjë pjesë të listës emra nga FRESSH? Në listën paraprake vihet re që emri i Kryetarit të FRESSH Elio Hysko nuk figuron askund. Megjithatë kjo mbetet për t’u parë nëse pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS-së, mund të lajmërohet për ndryshime. (D.D/Shuplaka)