Në orën 19:00 të pasdites së sotme do të mbahet protesta e shtatë kombëtare e opozitës së bashkuar, ndërsa policia ka angazhuar rreth 1300 efektivë në terren, për të ruajtur rendin dhe sigurinë. Ende nuk ka një skenar të qartë sesi do të jetë protesta, ndërkohë që burime bëjnë me dije se ajo do të jetë paqësore.
Kjo lidhet dhe me një vizitë që do të nisë nesër në mëngjes kryedemokrati Basha, në Gjermani, ku duket se do të kërkojë mbështetje sa më të gjërë për kauzën e opozitës.
Basha do të niset drejt Berlinit në orët e para të mëngjesit të nesërm, ndërkohë që sinjale nga Gjermania kanë bërë thirrje që palët të ulen sa më parë në dialog, dhe të mos përjashtohet asnjë çështje nga diskutimi.
Kreu i qeverisë Edi Rama dhe socialistët nisën dje fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit, që janë të parat, që pas rënies së regjimit komunist, që do të zhvillohen pa praninë e opozitës.
Opozita mban sot protestën e shtatë kombëtare, me kërkesat e pandryshuara që në muajin Shkurt për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Me socialistët që kanë nisur fushatën elektorale, për demokratët e LSI-në bëhet gjithnjë e më e vështirë kauza e tyre për zgjedhjet e parakohshme.
Kryeminsitri Edi Rama duket i vendosur që të mos tërhiqet nga data 30 Qershor, pasi sipas tij zgjedhjet janë demokratike, sa kohë që opozita nuk është penguar që të jetë pjesë e tyre. Ndërkombëtarët kanë shpeshtuar thirrjet e tyre që palët politike të ulen në dialog, në mënyrë që të shmangen aktet e dhunës.
Opozita ka kërkuar leje që në mesnatë, dhe zërat thonë se skenari i protestës do të jetë një marshim në drejtim të institucioneve më të rëndësishme në vend.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post