Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me strukturat e tij në Vlorë.
Në një prononcim për mediat, Basha u shpreh se shqiptarët meritojnë më shumë se sa “tangoja e vjetër që kërkon t’i mbajnë peng”, duke theksuar se nuk do të ndalet në rrugën për t’u dhënë alternativën që u mungon.
“Uroj që struktura jonë, që është gati dhe ka filluar punën për fushatën e ardhme, t’u paraqitet shqiptarëve si alternativë me logon dhe vulën e PD”, u shpreh Lulzim Basha.
I pyetur nëse do të krijojë një parti të re politike, Basha nënkuptoi se kjo do të varet nga vendimi i Gjykatës së Lartë, ku ka bërë rekurs vendimin e Apelit që i dha vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës.
“Nëse pazari dhe konspiracioni, jo thjesht kundër demokratëve, por kundër shqiptarëve do ta pamundësojë këtë demokratët euroatlantikë do të jenë në zgjedhje, programi dhe lista e kandidatëve tanë nuk do t’u mohohet shqiptarëve”, tha ai.
Basha shtoi se derisa Gjykata e Lartë të japë vendimin do të vazhdojmë punën.
“Ne nuk do të presim asnjë sekond dhe nuk po presim sekondë, sepse ne do ta kalojmë gjithë këtë kohë duke e shpalosur këtë alternativë pranë qytetarëve të Vlorës, pranë grupeve të interesit, pranë sipërmarrjes, pranë përfaqësuesve të fermerëve, të profesioneve të lira, të medias, të të përndjekurve, të pronarëve, të rinisë, të pensionistëve. Pra, nuk presim asnjë ditë, vazhdojmë punën tonë. Shqipëria ka nevojë për këtë alternativë, Shqipëria meriton më shumë dhe ne jemi të vendosur të mos e privojmë, sikundër të hedhim poshtë çdo skenar që shqiptarët i mbyll në ekuacionin e të vjetrës, kryeministrin apo ish kryeministrin. Kjo nuk është zgjidhja për shqiptarët. Zgjidhja është alternativa që ne përfaqësojme e demokratëve euroatlantik me të gjithë pjesët e programit që janë bërë publike dhe ne do t’i diskutojmë ditë pas dite deri ditën e zgjedhjeve me qytetarët”,- u shpreh Basha.