Deputeti i Partisë Socialist Erion Braçe, me anë të një postimi ka akuzuar ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullanin.
Braçe shprehet se Fullani ka kaluar me praktikë të shpejtë kërkesën e tij për dëmshpërblim në Gjykatën e Lartë.
Deputeti i drejtohet kreut të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori duke e pyetur se si ka mundësi që çështja “Fullani” shqyrtohet duke shkelur çdo radhë, duke shtypur me këmbë çdo kënd në radhë, në një kohë fare të shkurtër nga paraqitja, me dyer të mbyllura dhe pa pale.
Postimi i plotë i Braçes:
A e mbani mend Ardian Fullanin?
Nuk ka mbaruar punë ende me “drejtësinë”!
As me paranë publike!
Ka pasur një gjyq sot!
Në Gjykatën e Lartë, atë të fundit fare.
Në fakt, ai është atje çdo ditë dhe ky, kurrë nuk quhet konflikt interesi.
Jam i detyruar të respektoj institucionalisht kryetarin e Gjykatës së Lartë të vendit tim;
Por kam respekt pa fund edhe për çdo qytetar të këtij vendi, nga ata që kërkojnë drejtësi në atë Gjykatë, por nga ata që kërkojnë edhe barazi aty!
Kam dëgjuar se në atë Gjykate zbatohet parimi i radhës së paraqitjes së çështjes aty.
Por rasti që po sjell, rasti “Fullani”, pështyn këtë parim.
Zotni kryetar, zotni Zaganjori, mund të më thuash se si ka mundësi që çështja “Fullani” shqyrtohet në gjykatën tënde duke shkelur çdo radhë, duke shtypur me këmbë çdo kënd në radhë, në një kohë fare të shkurtër nga paraqitja, si kërkush i ndryshëm nga ai apo palët e paditura?
Po me dyer të mbyllura përse?
Po pa pale përse?
Ç’është kështu gjykatës, kryetar?
Si ka mundësi që kjo gjykatë bie në këtë mënyrë?
Dua të kujtoj për ju;
Se pari, shpejtësia me të cilën po gjykohet ky proces, në krahasim me proceset e tjera apo praktikën kohore të vetë Gjykatës së Lartë; çfarë e bën ulëritës dyshimin se ka ndërhyrje të ndodhë shpejt, të ndodhe tani!!
FAKTET JANE KETO;
Gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë, u zhvillua normalisht dhe gjykata doli me vendim më datën 02.06.2016.
Meqenëse çështja është komplekse nga natyra e saj, vendimi i gjykatës u ankimua si nga paditësi Ardian Fullani, por edhe nga palët e paditura- Banka e Shqipërisë dhe Kuvendi, me ankime dhe kundërankime shumë të gjata me shumë argumente ligjore.
Zakonisht shqyrtimi i çështjeve gjyqësore në gjykatën e Apelit Administrativ kërkon një periudhe prej rreth 1-2 vjet, (ka çështje të vitit 2014 te cilat nuk janë shqyrtuar akoma), mirëpo çështja “Fullani” doli shume shpejt.
Kjo çështje ne Apel u gjykua nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Kastriot Selita, Altina Nasufi dhe Bernina Kondi. Pavarësisht kompleksitetit të çështjes dhe kërkesës së Bankës së Shqipërisë për të zhvilluar një proces gjyqësor me praninë e palëve, gjykata e mori vendimin e saj në dhomë këshillimi më datë 01.03.2017
Çudia më e madhe është në lidhje me Gjykatën e Lartë.
Zakonisht shqyrtimi i çështjeve gjyqësore në Gjykatën e Lartë, kërkojnë një periudhë prej rreth 2-3 vjet zakonisht (ka në këtë gjykatë çështje të vitit 2013, të cilat, nuk janë shqyrtuar akoma), mirëpo data për shqyrtimin e çështjes “Fullani” ka dalë me një shpejtësi marramendëse.
Më datën 12 korrik 2017 është caktuar në Gjykatën e Lartë një seancë gjyqësore pa praninë e palëve.
Kjo çështje do të shqyrtohet nga trupi gjykues i përberë nga Adrian Dvorani (relator), Andi Çeliku dhe Evelina Qirjako.
Së dyti, në lidhje me trajtimin që i ka bërë gjykata kësaj çështjeje;
Në procesin administrativ në shkallë të parë, pavarësisht se padia e Fullanit ishte ngritur për kërkimin e një demi jashtëkontraktor, kjo e fundit, e trajtoi çështjen si marrëdhënie pune dhe, me vendimin e datës 02.06.2016, i atribuoi paditësit 12 paga si guvernator.
Nga ana e saj Gjykata e Apelit, pavarësisht kompleksitetit të çështjes, kishte gjithçka të qartë qysh në fillim duke e trajtuar Fullanin si të dypunësuar pranë Bankës së Shqipërisë dhe, i dha atij të drejtën e shpërblimit për të përfituar pagat si Guvernator dhe Anëtar i Këshillit Mbikëqyrës deri në fund të mandatit 17.11.2018 (rreth 35 milion lekë të reja).
Në gjykatë të Larte, Fullani ka kërkuar gjithashtu edhe dëmin moral në vlerën prej 150 milionë të tjera, për shkak të dëmit të madh që pretendon t’i ketë ardhur për shkak të cenimit të nderit, personalitetit dhe reputacionit. E shihni, nuk ka mbaruar akoma punë me ne!!
(S.SH/Shuplaka)