Ka disa lëvizje në sistemin e Drejtësisë që nuk janë edhe aq premtuese. E si për ironi e gjitha kjo ka ndodhur pas emërimit të njëanshëm politik të kryeprokurores Arta Marku.
Emërimi i saj u quajt nga opozita dhe jo vetëm si kapja e Prokurorisë nga ana e kryeministrit Edi Rama, pse jo edhe me bekimin e ndërkombëtarëve.
Po çka ndodhur pas emërimit të Markut, ngjarjet që e kanë shënjuar:
-Saimir Tahirit iu rikthyer pasaporta nga ana e Gjykatës së Apelit, teksa duket se nuk ka asnjë zhvillim nga ana e hetimeve.
-Lëvizjet brenda institucionit të Prokurorisë, dhe shkarkimi i Rovena Gashit nga drejtimi i dekriminalizimit. Shkarkimi i saj erdhi fill pas kërkesës për heqjen e imunitetit për deputetin e PDIU-së Aqif Rakipi, i njohur për marrëdhënien e afërt me Edi Ramën.
-Po ashtu një tjetër çështje që është mbyllur është ajo kundër ish-deputetit Armando Prenga. Gjykata e Kurbinit vendosi pushimin e çështjes ndaj tij.
-Rasti më i fundit kur drejtësia ka pasur një pikë kthese është rasti i sotëm. Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë për të riun e arrestuar me dy patentat e Saimir Tahirit dhe me më shumë se 830 mijë euro.
Për të është vendosur masa e detyrimit për paraqitje. Kjo masë për Sotën vjen pas një garancie pasurore nga ana e familjarëve të biznesmenit.
Mësohet se familjarët po depozitojnë shumën prej 5 milion lekësh, si garanci pasurore për ndryshimin e masës.
Avokati i Sotës që në fillim ka kërkuar një masë më të lehtë, por nga shkalla e parë nuk është pranuar edhe pse është vendosur garancia pasurore.
Ndoshta në lëmin e çështjeve të drejtësisë këto janë shumë pak, dhe ne na duhet që të presim përfundimin e Janarit për të parë realisht se çdo të ndodhë me peshqit e mëdhenj.
(E.K/FAXWEB)