Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është takuar gjatë ditës së sotme me ambasadorin e Francës në Maqedoni, Kristian Timonier.
Mediat në Maqedoni shkruajnë se gjatë këtij takimi, Ahmeti dhe Timonier diskutuan mbi situatën politike në vend dhe mundësitë për zgjidhje të ngërçit politik dhe institucional.
“BDI si parti fituese tek shqiptarët dhe përcaktuese në këtë mandat, i dha përkrahjen vendimtare shumicës së re reformuese parlamentare për të formuar një Qeveri e cila do të zbaton agjendën dhe programin e paracaktuar nga komuniteti ndërkombëtar nëpërmjet zbatimit të përpiktë të reformave në gjyqësor, rrumbullakësimit të Marrëveshjes së Ohrit, integrimit euroatlantik”, është shprehur Ahmeti gjatë këtij takimi.
Ndërkohë kreu i BDI-së, ka ftuar dy parti politike maqedonase, që të angazhohen pa asnjë vonesë në drejtim të gjetjes së zgjidhjes.
“Çdo vonesë paraqet mundësi për kundërshtarët e rrugës sonë drejt integrimit në NATO dhe BE për të shtruar ndikimin e tyre dhe për të thelluar hendekun midis qytetarëve të vendit tonë”, deklaron Ahmeti. (D.D/Shuplaka)