Akademiku Artan Fuga ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të Presidentit të Fax News, Kasem Hysenbelliu. Me anë të një shkrimi publik, Fuga shpreh vlerësimet duke e konsideruar si njeri modest, të vëmendshëm ndaj mendimeve ndryshe dhe të apasionuar pas të resë.
Akademiku Fuga thkeson se Shqipëria humbi aktorin mediatik që ekuilibronte shumë pushtete dhe televizioni Fax News nuk ra kurrë në barstardime.
“Gje rastin t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes të të ndjerit Kasëm Hysenbelliu, drejtuesit dhe pronarit të televizionit Fax News! Sa herë kam bashkëpunuar me të për vite me radhë. Kisha vlerësuar shumë njeriun modest, të vëmendshëm ndaj mendimeve ndryshe, i apasionuar pas të resë, mikun dhe mbështetësin e gazetarëve të rinj, njeriun e përgjigjes të shpejtë ndaj çdo propozimi ose komenti, pa paragjykime për opinionet e aktorëve të shoqërisë civile që vinin te hapësira e tij televizive, korrekt me bashkëpuntorët, i qartë në orientimin e tij për trajtimin e problemeve të shoqërisë në televizion.
Shqipëria humbi një aktor mediatik që ekuilibronte shumë pushtete dhe vetë pejzazhin televiziv të vendit. Televizioni që ai administronte ishte i ri, ka rrugë për të bërë, por ishte serioz, me dinjitet, dhe nuk ra kurrë në bastardime! I paharruar kujtimi i tij!”, tha Fuga.
President i Fax Media Grup ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë me Covid-19. Zoti Hysenbelli u nda nga jeta mëngjesin e kësaj të Shtune në Turqi, ku ishte duke u kuruar prej disa javësh, Ai nuk mundi që të fitonte dot betejën me virusin, pavarësisht përpjekjeve të mjekve dhe lutjeve të familjarëve, miqve dhe të gjithëve atyre që e kanë njohur.
Fax Media ka humbur arktitektin e tij i cili e themeloi nga e para në Tetor të vitit 2017, duke qenë drejtor dhe pronar i vetëm. Kontributi i zotit Hysenbelli në median shqiptare ka qenë i vyer, i veçantë, i shumanshëm dhe i gjatë.
Diplomuar për matematikë dhe në fushën e Jurisprudencës, ai tashmë mbetet një personalitet në median shqiptare me një angazhim 20-vjeçar, si drejtues i disa prej tyre. Ai fillimisht është angazhuar si drejtor i Përgjithshëm i Gazetës Panorama. Nga 2001-2012 ka drejtuar këtë gazetë. Nga 2012 deri 2016 Drejtor i Përgjithshëm i News 24. Zoti Hysenbelli themeloi të parin TV të pavarur në vend Fax News, që me përkushtimin dhe vendosmërinë e tij, u shndërrua përtej çdo parashikimi në zërin e njerëzve të thjeshtë. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”
Për një periudhë tepër të shkurtër, zoti Hysenbelli në drejtimin e Fax News, shtroi rrugën e një modeli mediatik të përqafuar nga qytetari shqiptar, të tregojë pavarësinë e asnjanësinë e një media kur media në përgjithësi, ishte në rënie të lirë sa i përket besueshmërisë së qytetarëve. Beteja e tij për tu futur dhe mbijetuar në tregun mediatik ka qenë në kushte aspak komode, jo të barabarta dhe jo pak herë edhe e shënjestruar, por aleanca e pakompromis me të vërtetën dhe qytetarin, e shndërroi në atë për të cilën ishte krijuar.
Zoti Hysenbelli ofroi një pasqyrë mediatike ku mjetet e kontakteve të saj nuk ishin të mbushura me shqetësimin e politikës dhe politikanëve mbi të vërtetat e hidhura ndonjëherë; të personazheve që shqetësohen për bëmat e tyre; të krimit që blinte informacionin; të biznesmenëve ndaj të cilëve punonjësit e tyre kishin ankesa. Dyert e Fax News zoti Hysenbelli i shndërroi në një organ të rëndësishëm ku drejtësia ballafaqohej me padrejtësinë duke mbajtur gjithnjë krahun e të vërtetës.
Mjetet e kontaktit të Fax Medias u hapën për qytetarët, pa dallime të çfarëdollojshme. Ekrani që krijoi zoti Hysenbelli përfaqëson denjësisht atë për të cilën u krijua, që sot ndiqet dhe përcillet në disa platforma në shumë shtete të botës përmes asaj televizive dhe online.
5 Dhjetori është një ditë e dhimbshme për familjen Hysenbelli, bashkëshorten e tij Enkelejda, djalit Kevinit dhe vajzës Donika si dhe familjarët, të afërmit e bashkëpunëtorët ndër vite.
Sot është një ditë e dhimbshme dhe humbje e pazëvendësueshme edhe për familjen e Fax Media Grup, për çdo punonjës të kësaj mediaje të cilëve Hysenbelli u dha ndër vite besnikëri, liri profesionale, nxitje për të gjetur dhe transmetuar vetëm të vërtetën. I gjithë stafi i televizionit që ai themeloi i shprehin ngushëllimet familjes së presidentit Hysenbelli për humbjen e madhe.
(A.M/Faxweb.al)