Aksionet e zhvilluara për arrestimin e Kelmend Balilit dyshohet se janë dekonspiruar nga policia e Sarandës dhe Delvinës. Nisur nga kjo, Shërbimi i Çështjeve të Brendshëm dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka nisur një hetim për të verifikuar veprimet e policisë lokale.
Sipas asaj që mëson TV Klan, ka indicie konkrete që oficerë kanë njoftuar Balilin për aksionet që do të kryheshin për prangosjen e tij.
Hetuesit kanë dyshime se ndikimi i Balilit në policët e Sarandës dhe Delvinës është i madh dhe ai mund të jetë njoftuar për çdo lëvizje që kryhej nga forcat e rendit.
Specialistët e Çështjeve të Brendshëm pritet të kalojnë në sitë të gjitha veprimet e disa oficerëve të policisë për të cilët ka dyshime konkrete se kanë komunikuar me të afërm të Balilit.
Në operacionin e fundit për prangosjen e Balilit u angazhuan 200 forca policie, por pa mundur të arrestojnë Klement Balilin, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.
Sipas Prokurorisë, ka dyshime të forta se “Eskobari i Ballkanit” ndodhet në territorin shqiptar dhe nuk ka dalë jashtë vendit.