Deputeti i PD, Xhelal Mziu ka qenë i ftuar në studion e Fax News ku ka folur lidhur me denoncimet që Suli ka bërë kundrejt tij në SPAK. Mziu i ka konsideruar këto akuza si “shashka” në prag të zgjedhjeve lokale, pasi sipas tij, Rakip Suli nuk kishte bilanc pozitiv gjatë kryesimit të bashkisë së Kamzës.
Mziu tha që do të angazhohej maksimalisht që në bashkitë e qarkut të Dibrës dhe në bashkinë e Kamzës, PS të pësonte humbje të thellë.
“Dua të them që nuk ka asnjë lloj problemi madje përkundrazi, Kamza ka qenë një shembull i menaxhimit. Akuza e Sulit nuk më bën përshtypje sepse ky është presion sa herë që ka zgjedhje. Unë nuk e kam obligim personal. Nuk ka dosje që ai mund të përdorë për të më shantazhuar. Kushdo të jetë kandidat për PD-në, do e mundë thellësisht Sulin pasi në 4 vite nuk ka bërë asgjë përveçe korrupsionit të pafundëm. Ai prish ose rikonstrukturon një shkollë me vlerë me shifër disa herë më të lartë sesa ajo që ishte ndërtuar. Kjo akuzë e tij është thjesht shashkë që nuk e shpëton dot Sulin në zgjedhjet që do vijnë.
Unë jam i angazhuar maksimalisht në qarkun e Dibrës si drejtues politik që në këto bashki të fitojë PD dhe ta mundë “Rilindjen” e cila ka qenë hakmarrëse ndaj Dibrës në këto 8 vite. Jam maksimalisht i angazhuar që Kamza të thellojë fitoren.
Në fakt përballjet, në 8 prej tyre kam patur personalitete të rëndësishme që i kam mundur thellësisht. Madje di të them se në qarkun e Dibrës mandatet në 2017 ishin 4 me 2 për PS-në. Për shkak të takimeve me qytetarët, e detyrova ministren të largohej pasi nuk fitonte dot mandat deputeti aty. Belinda shquhet për propagandë, mjafton të shohim “Rrugën e Arbërit” që nuk mbaron as 10 vite të tjera me këtë mendje që ka kjo qeveri. Mos të harrojmë se është dhënë një koncesion me mbi 300 milionë euro për përfundimin e rrugës për 3 vite. Ndërkohë deri tani kanë kaluar mbi 5 vite”-tha Mziu.
Mes të tjerash, Mziu ka bërë me dije se në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit do të nisnin protestat qytetare kundër rritjes së çmimeve, ku do kërkohej dorëheqja e qeverisë.
“Në fundin e këtij muaji dhe fillimin e muajit tjetër do ketë protesta të tjera sidomos për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Jam i sigurtë se 96% e familjeve shqiptare do ta kalojnë cakun prej 800kë. Ne vitin e kaluar kemi prodhuar më shumë energji sesa kemi konsumuar, por për shkak të transaksioneve të dyshimta, ndodhemi në këtë gjendje të vështirë”– u shpreh deputeti demorkat.