Anullohet tenderi për uniformat e policisë i cili u zhvillua më 4 prill të këtij viti. Bëhet fjalë për tenderin prej 1 miliard e 200 milion lekësh të cilët do të shpenzoheshin për pajisjen e policisë me uniforma, konkretisht këpucë lëkure, gradat,shenjat, stemat dhe aksesorët që nevojiten.
Anullimin e ka kryer ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj për arsye se “asnjë nga ofertat nuk përputhen me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit”.
Njoftimi i anulimit të tenderi bëhet në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik në Buletinin nr 39 datë 2 tetor 2017. Nga realizimi i këtij tenderit do të përfitonin rreth 11 mijë punonjës policie. Në tender ishin parashikuar dy veshje “firmato” për secilin polic për periudhën e dimrit dhe atë të verës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, gara u zhvillua në katër lote, përkatësisht: Loti i parë përfshin prokurimin e 955,904,563 lekë, të cilat do të përdoren për blerjen e uniformave. Kështu uniforma e çdo polici do të kushtojë 86 mije lekë, ose 634 euro për person. Loti i dytë parashikon 114,608,220 leke për blerje e këpucësh, ose 10.4 mijë (76 euro ) lekë për person. Loti i tretë parashikon shpenzimin e 44 milionë lekëve për blerjen e gradave dhe stemave që kërkojnë uniformat e policisë, ose rreth 29 euro për person. Loti i tretë parashikon blerjen e aksesorëve (kapelat, doreza etj) me një vlerë 178 milionë lekë ose 161 mijë lekë (118 euro) për çdo polic. (B.N/ Shuplaka)