Nga kërkimet e “Arbitrazh” rezulton se “Vodafone Albania” është me pronarë nga Hollanda, e cila është një parajsë offshore ku pronarët ruajnë të drejtën e anonimatit. Të dyja kompanitë me qendër në Hollandë “Vodafone Europe“ dhe kompania tjetër hollandeze “Vodafone Panafon International Holdings“ kanë si drejtore Lamberdina Regina Maria Kraan, e cila ka autorizuar si Sekretare znj Sarah Clementine Van Der Looh.
Në 2018 kryeministri Edi Rama e ka konsideruar pozicion strategjik sektorin e telefonisë celulare, madje nën këtë pretekst ai ka shmangur ofertat nga Serbia për Telekom Albania. “Ky është një sektor strategjik dhe qeveria shqiptare pyetet, i kërkohet mendim nga vetë ata që janë të interesuar dhe qëndrimi i qeverisë shqiptare është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë:
Bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë”, tha Rama në 9 tetor 2018 në një dalje për mediat nga Kryeministria. Edhe pse ai deklaroi se është pozicion strategjik, aksionet e kompanisë në tregun shqiptar i kaluan kompanive të huaja nga Bullgaria.
Disa muaj më pas, në 23 janar grupi grek OTE, në pronësi të rrjetit gjerman “Deutsche Telecom”, e cila zotëronte 99.79% të aksioneve të Telekom Albania njoftoi zyrtarisht se “OTE” kishte hyrë në marrëveshje për të shitur kuotat e “Telekom Albania Sh.A.” te kompania bullgare “Albania Telecom Invest AD” për një shumë totale prej 50 milionë eurosh.
Dy janë aksionerët e saj, sipas Dimitrov Rusev me 51% të aksioneve dhe Elvin Vehip Guri me 49% të aksioneve një investitor bullgaro-shqiptar.
Por kush është Dimitrov Rusev? Roussev ka qenë i lidhur më parë me akuza serioze për krim të organizuar dhe lidhje me banka të dyshimta ruse. Sipas një investigimi nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) në dhjetor 2015 thotë se Roussev është etiketuar oligarku i krahut të djathtë kardinali dhe rezulton i lidhur me figura të shquara në qarqet bullgare të krimit të organizuar si Ivan “Doktori” Todorov, Vasil Kafka Bozhkov dhe Petar AmigosPetrov.
Pas një tentative të dështuar për vrasjen e Todorovit në prill 2003, kur makina e tij shpërtheu në një rrugë të frekuentuar të Sofjes, në automjetin e bombarduar u gjet një fotografi mes sendeve të tjera.
Në fotot u shfaqën imazhet e figurave kryesore të mafies bullgare si dhe politikanë, të cilët ishin mbledhur në jahtin e Roussev, në brigjet e Monakos.
Publikimi i fotos në media shkaktoi valë tronditëse në mbarë Bullgarinë. Në jahtin e Roussev ekspozohet Petrov, i dënuar për pastrimin e 26 milionë eurove, Velçev, ministër i atëhershëm i financave në qeverinë Sakse-Koburg-Gotha, Miroslav Sevlievski, në atë kohë Ministër i Energjisë. Bashkëpunëtori i ngushtë i biznesit të Roussev, Lyubomir Minchev dhe gruaja e tij Maria Oprenova; Todorov, i vrarë në vitin 2006 në Sofje; dhe ministri i atëhershëm i transportit Plamen Petrov, ish-shefi i Vivacom.
Por nëse Roussev rezulton person me njohje me figura të krimit të organizuar në Bullgari, biznesmeni Elvin Guri ka një profil publik si biznesmen i jashtëzakonshëm. Megjithatë fijet e biznesit e të shqiptaro-bullgarit janë të paqarta me kompaninë “FINAL”, e cila është në pronësi të “IUTECREDIT”. Në këtë rast, biznesmeni ka qënë aksioner tek “FINAL”, por i ka shitur aksionet e veta tek “IUTECREDIT” në 2018.
Sipas vendimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Guri është larguar si anëtar në 2018, por tek vendimi i publikuar në Qendrën e Biznesit shkruhet se ai ishte Kryetar i Këshillit të Administrimit, në një vendim në dhjetor 2020. Iutecredit Albania është një institut financiar jo bankë në pronësi të AS Iutecredit Europe, e cila u dëbua nga qeveria kosovare për shkak të abuzimit me këstet. Kjo kompani rezulton e lidhur me oligarkë rus.