Rafael Caro Quintero, lordi meksikan i drogës dhe një nga më të kërkuarit e SHBA-së, është arrestuar në Sinaloa, njofton marina meksikane.
Quintero akuzohet për rrëmbim, torturim dhe vrasjen e një agjenti amerikan të anti-drogës në vitin 1985. 69-vjeçari u gjet i fshehur në një shkurre nga një qen i stërvitur i policisë. SHBA tha se do të kërkojë ekstradimin e menjëhershëm të tij.
“Nuk ka vend për t’u fshehur për këdo që rrëmben, torturon dhe vret punonjësit e zbatimit të ligjit amerikan. U jemi thellësisht mirënjohës autoriteteve meksikane për kapjen dhe arrestimin e Rafael Caro Quintero”, deklaroi Prokurorja e Përgjithshme e SHBA.
Quintero ishte 1 nga 3 anëtarët që themeluan kartelin Guadalajara. 69-vjeçari kaloi 28 vite në burg për vrasjen e agjentit amerikan të anti-drogës. Vrasja në atë kohë tensionoi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Meksikës. Më vonë u materializua në serialin në Netflix “Narcos: Mexico”.
Në vitin 2013, një gjykatë federale në Meksikë e liroi nga burgu Rafael Quinteron duke i shkurtuar dënimin 40-vjeçar.
Vendimi më vonë u rrëzua nga gjykata e lartë e vendit, por Quintero ishte arratisur.
Arrestimi i Rafael Caro Quintero konsiderohet simbolikisht i rëndësishëm edhe pse ai tashmë nuk është më një figurë kryesore në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Discussion about this post