Pas lirimit nga burgu të deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, avokati Leonard Karaj u shpreh në lidhje me të ardhmen politike të tij dhe ndikimin që ky vendim ka në skenën politike.
Sipas Karajt, ndonëse Salianji, për shkak të vendimit penal, nuk do të mund të kandidojë për një mandat të ri në Kuvendin e Shqipërisë deri në vitin 2029, kjo nuk e përjashton atë nga jeta politike:
“Praktikisht, unë mendoj se Salianji do të vijojë karrierën në selinë e PD-së. Nuk besoj se do ta marrin me arrogancë përfundimin e dënimit të tij. Ai është një personazh pozitivist që i ka munguar PD-së muajt e fundit.”
Karaj vlerësoi se Ervin Salianji ka ende mbështetje të gjerë në elektorat dhe veçanërisht në Elbasan, ku ai, sipas tij, do të kishte dalë me rezultate edhe më të mira po të kandidonte rishtas.
Nga ana politike, Karaj e cilësoi veprimin e largimit të Salianjit si një fitore taktike për kryeministrin Edi Rama:
“Rama ka bërë një gol politik duke e nxjerrë jashtë loje Salianjin, një prej zërave më të fortë të opozitës në Kuvend.”
Karaj gjithashtu nënvizoi se rasti ndaj Salianjit është ndërtuar mbi një logjikë të gabuar ligjore:
“Nuk ekziston kallëzimi i rremë penal kur denoncimi bëhet nga foltorja e partisë. Kjo është një çështje politike, jo penale.”
Avokati e mbylli deklaratën me optimizëm për rolin që Salianji mund të luajë në riorganizimin e PD-së:
“Ervin Salianji do të sjellë një sinergji të re në Partinë Demokratike. Ai përfaqëson një brez të ri politik, me komunikim të drejtpërdrejtë dhe përkushtim ndaj kauzës opozitare.”