Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në Samitin për Tranzicionin Energjetik që u zhvillua në Athinë, ku ministrat e energjisë nga Europa Juglindore dhe Mesdheu Lindor u mblodhën për të diskutuar sfidat dhe zgjidhjet në sektorin energjetik, në dritën e zhvillimeve të fundit gjeopolitike.
Në prononcimin e saj, Balluku theksoi se siguria energjetike në Ballkanin Perëndimor është thelbësore për suksesin e agjendës së gjelbër që kërkon Bashkimi Evropian. Ajo u ndal në bashkëpunimin rajonal dhe projektet konkrete që Shqipëria po ndjek me partnerë ndërkombëtarë, si linja nënujore e transmetimit me Italinë dhe projektet për gazifikimin me Azerbajxhanin.
Balluku nënvizoi rolin e Shqipërisë në ndërtimin e Korridorit VIII energjetik, që do të lidhë Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e ndërlidhjes dhe diversifikimit energjetik në rajon.
Gjithashtu, ministrja zhvilloi bisedime me homologen britanike të energjisë, e cila do të ketë një rol kyç në Dialogun e Berlinit, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë.
“Samiti në Athinë ishte një tjetër hap i rëndësishëm për të bashkërenduar punën dhe për të përforcuar sigurinë energjetike, gjithmonë me synim mirëqenien e qytetarëve tanë dhe ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor,” u shpreh Balluku.