”Bashkimi Europian për herë të parë brenda 26 vjetëve i jep një shuplakë qeverisjes së vendit”, kështu deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një deklaratë të shkurtër për mediet.
Ai e cilësoi ”turp” marrjen e një vlerësimi të tillë nga BE-ja, i cili sipas Bashës është i ngjashëm me vendet e Afrikës.
”Dua të bëj një prononcim për Brukselin. KE-ja i ka publikuar konkluzionet e veta dhe ato nuk lënë shteg. Gjendja në vend është e rëndë dhe jo siç e shet qeveria. Populli nuk gënjehet me lugën bosh të mashtrimeve.
Lajmi i mirë është se duke mos lënë shteg për spekullim çmonton mashtrimet dhe spekullimet që po përballen shqiptarët. Duke mohuar problemet e rënda me drogën, me krimin dhe korrupsionin dhe mosmarrja e përgjegjësive për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, qeveria, Z.Rama absolutisht kanë refuzuar marrjen e përgjigjësive për daljen nga situata.
Është turp që marrim një vlerësim të tillë si vendet e Afrikës.
Për herë të parë brenda vjetëve 26 vjetëve, BE-ja vetëm 6 muaj parpara zgjedhjeve i jep këtë shuplakë qeverisjes së vendit.”, theksoi Basha.
Kreu i opozitës premtoi marrjen përsipër të zbatimit të Ligjit të Vettingut dhe largimin e kriminelëve nga politika, duke hequr sipas tij këto pengesa nga shqiptarët.