Qarku i Kukësit ka pasur përgjatë njëzet viteve të fundit një rezultat të qartë dhe lehtësisht të parashikueshëm. Partia Demokratike ka fituar shumicën e deputetëve të saj.
Në vitin 2001, biznesmeni i naftës Shyqyri Duraku fitoi në balotazh një mandat për Partinë Socialiste, një mandat që në atë kohë u tha se qe një kompromis i heshtur mes PS dhe PD për të shmangur përshtypjen që Shqipëria qe ndarë efektivisht në jugun socialist dhe veriun demokrat. (PD mori një mandat në balotazh në jug të vendit).
Qarku i Kukësit pati 43 mijë vota të hedhura më 2009 nga të cilat, e djathta fitoi 65 për qind. Në zgjedhjet e vitit 2013, në Kukës u hodhën 47 mijë vota, nga të cilat, e djathta fitoi 60 për qind dhe e majta, 40 për qind.
Me sistemin zgjedhor të vitit 2008, votat e Kukësit u ndanë afro dy të tretat për demokratët dhe një e treta për socialistët, duke i ndarë të katër mandatet 3 me 1 për demokratët. Kjo ndodhi si në zgjedhjet e vitit 2009 ashtu edhe në zgjedhjet e vitit 2013.
Por në zgjedhjet e vitit 2017, Kukësi nuk do të ketë më katër deputetë por tre. Kukësit iu zbrit një deputet për shkak të zvogëlimit të popullsisë së këtij qarku, deputet që u shtua në Tiranë. Rezultati i pritshëm, në rast se nuk do të ketë ndryshime rrënjësore në vota, do të jetë 2 mandate PD dhe 1 mandat PS.
Zgjedhjet në Kukës
Megjithatë, koalicioni i majtë luftoi ashpër në vitin 2013 si dhe në zgjedhjet për pushtetin vendor 2015. Partia Socialiste ka kandiduar në vend të dytë në listën e saj biznesmenin Safet Gjici, i cili njihet si president i skuadrës së futbollit Kukësi si dhe ish-kandidat për kryetar bashkie për socialistët në Bashkinë Kamëz në vitin 2015. Gjici vjen në garën për Kukësin pasi skuadra e Kukësit arriti të fitojë për herë të parë në histori kampionatin shqiptar këtë vit ndërkohë që ai me të vërtetë i humbi zgjedhjet për Kamzën në vitin 2015, por rezultati i humbjes qe më i ngushti për socialistët në këtë zonë në shumë kohë.
Përballë tij garojnë ish-ministri i brendshëm i demokratëve Flamur Noka dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme Isuf Celaj. Celaj aktualisht punon në kompaninë Gener 2. Gjici mundet gjithsesi të bëhet deputet pasi e para në listën e Kukësit është Mimi Kodheli, aktualisht ministre e Mbrojtjes. Në rast të fitores elektorale të socialistëve dhe në rast se socialistët vijojnë praktikën e detyrimit të ministrave të tyre të heqin dorë nga mandati i deputetit në shkëmbim të postit të ministrit, Gjici ka shanse të hyjë në parlament në vend të Kodhelit.
Partitë e tjera duket se nuk janë në garë në Kukës, ku nevojiten mbi 30 për qind të votave për të marrë një mandat deputeti, por Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, (PDIU) ka kandiduar të parin në listën e saj për Kukësin ish-deputetin demokrat Fatos Hoxha. Votat e Hoxhës mund të ndikojnë në balancën e votave PD-PS por gjasat për ndryshim rezultati janë të vogla./ BIRN