Pasoja të rënda ka lënë pas tërmeti i frikshëm i 21 shtatorit, që nxori në rrugë të madh e të vogël në qytetin e Durrësit dhe rrethinat e tij. Bilanci i dëmeve në banesa dhe biznese është rënduar, ndërkohë grupet e vlerësimit janë ende në terren për të llogaritur dëmet në çdo banesë të prekur.
82 banesa dhe një pallat i pabanueshëm, si dhe 111 banesa të dëmtuara rëndë janë dëmet e shkaktuara në Durrës dhe njësitë administrative nga tërmeti i së shtunës. Ndërkohë lista e banesave me dëmtime më të lehta është më e gjatë. Shifrat i bën të ditura burimet zyrtare nga bashkia e Durrësit.
Në zonën e plazhit, në sektorin “Iliria” një pallat shumëkatësh i vitit 2010 u shpall një ditë më parë i pabanueshëm dhe iu vunë shiritat bllokues, pasi ka dëmtime të shumta strukturore.
Gjeografia e shpërndarjes së shtëpive të pabanueshme është e përqendruar kryesisht në 3 njësi administrative Manëz, Sukth dhe Katund i ri me respektivisht 27, 24 dhe 19 shtëpi. Dëme janë regjistruar edhe në Rrashbull ku janë 13 shtëpi të dëmtuara dhe në Ishëm 7 shtëpi.
Në terren janë 16 grupe vlerësimi në Durrës dhe 5 njësitë administrative, në përbërjen e secilit është një inxhinier ndërtimi. Këto grupe po bëjnë vlerësimin në çdo banesë të prekur nga tërmeti për të dalë më pas me një faturë përfundimtare të dëmeve në banesa e biznese
Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi një fond prej 10 milionë lekësh për dëmet nga tërmeti, ndërsa Këshilli Bashkiak I dhuroi 20 milionë lekë, ku nuk dihet ende një vlerë e përafërt e dëmit në të gjithë bashkinë, por fondi është miratuar.