Ish-deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, në një reagim në Facebook, shkruan se kreu i PD-së, Lulzim Basha ende nuk e ka kuptuar rëndësinë e çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Bregu thotë se reagimi i Bashës dje ishte i vonuar me vite.
Bregu thekson se Basha ende vazhdon të ketë rreth vetes njerëz servilë që i thurin lavde.
“Me Lulzim Bashën nuk jam kuptuar për shumë gjëra. Është rasti tipik i dy njerëzve që i lidh mosha dhe i ndan mendja. Por një nga ato gjëra që nuk kuptoja fare fare, ishte qëndrimi i tij ndër vite kundërthënës për celjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk mund te them dhe aq më shumë ta akuzoj kryetarin e PD si antieuropian apo si dikush që nuk e kupton rëndësinë kombëtare, por dhe politike të këtij procesi. Është thjesht trajta e pashquar e personalitetit vetjak që nuk e lejon të ketë një qëndrim të kthjellët. Lulzimi drejton sot Partinë Demokratike të Shqipërisë e cila lindi prej këtij vokacioni perëndimor të shqiptarëve. Kaq duhet të mjaftonte që ai të kishte prej kohësh qartësinë e shpjegimit se pse është jetike sot çelja e negociatave të Shqipërisë me Europen; të fshikullonte radhën e ca honxhobonxhëve injorantë të potershëm që atij i thurin lavde teksa ëndërrojnë se pushteti këtë radhë ju afrohet, vetëm nëse largohen negociatat! Ndaj reagimi i djeshëm i LB ishte vite i vonuar! Ishte si në kërkim të përshtatjes me idenë se kur e keqja të ndjek, një derë e mbyllur, të vret dhe shpresën për shpëtim.” – shkruan Bregu ndër të tjera.
(F.G/Faxweb)