Në një kohë kur Shqipëria po vuan pasojat e tërmetit të fuqishëm të 26 Nëntorit, duket se ka shpresë që lëkundjet e tokës të mund të parashikohen afërsisht 8 orë para. Për të treguar më shumë për këtë foli ambasadori i Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler.
Gjatë një interviste për “ABCNews”, Gendler deklaroi se brenda vitit do të jetë gati një sistem që do të bëjë të mundur parashikimin e tërmeteve disa orë para se të ndodhin. Sipas tij, deri tani izraelitët kanë dy mënyra për të studiuar lëkundjet e tokës, por ky sistem i ri, i krijuar nga kompania izraelite “Ionoterra”, do të jetë i saktë 91%.
Ambasadori shpjegoi sesi arrihet parashikimi, ndërsa shtoi se deri tani testimi i sistemit ka qenë i suksesshëm.
“Ata mendojnë ndryshe, jashtë paradigmës. Në vend që të përpiqen të identifikojnë tërmetet përmes lëvizjeve sizmike dhe nëse bën këtë, humbet 90 përqind të zhurmave të lëvizjeve për shkak të natyrës së identifikimeve sizmike. Kështu që ata përpiqen ta përdorin atë përmes jonosferës, që është niveli atmosferik nga 60 kilometra e sipër, nga 60 deri në një mijë kilometra.
Ajo që bëjnë është se vënë sensorë dhe radarë në vende që janë shumë të ndjeshme ndaj tërmeteve dhe marrin sinjalin në mënyrë konstante dhe arrijnë të shohin kurdo që ka ndryshim. Dhe ndryshimi është alarm i kuq për ju. Suksesi i saj është 91 përqind. Ata e testuan sistemin në Greqi, Turqi, Rumani, por sigurisht teknologjia nuk është 100 përqind e arritur. Do të kërkojë disa javë, disa muaj për ta vlerësuar në një pozicion ku mund ta përdorësh në çdo vend”, u shpreh Noah Gal Gendler.
Më tej, ai bëri me dije se ky sistem nuk është i kushtueshëm sepse mund të përdore sensorë dhe radarë, ndërsa theksoi se sensorët mund të vendosen edhe nëpër varka për të vëzhguar lëvizjet edhe në pjesën detare.
(M. I./ Faxweb.al)