Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka qenë e pranishme sot në Komisionin e Ekonomisë, ku ka folur në lidhje me paketën e Rezistencës Sociale dhe ndikimin që ajo do të ketë në Buxhetin e Shtetit.
Ibrahimaj tha se vendi ynë po përballet me inflacionin që vjen nga kriza energjetike, ajo e hidrokarbureve dhe produkteve ushqimore, ndërkohë që sipas saj qeveria ka gati disa skenarë, që do të ndiqen në rast se lufta do të zgjasë.
“Impakti në ekonominë tonë i goditjes nga krahu i ofertës i manifestuar në rritjen e cmimeve të produkteve të energjisë disa produkteve bazë ushqimore pritet te këtë një impakt relativisht të dukshëm për ekonominë tonë.
Në vlerësimet tona sipas skenarit bazë të projeksioneve makro fiskale në skenarin me probabilitetin më të lartë të ndodhjes, ky impakt do jetë i përmbajtur dhe i përkohshëm.
Në këtë skenar parashikojmë që inflacioni i përgjithshëm mesatar në 2022 në tërësi të jetë 4.5% e pritet të kulmojë në fund të tremujorit të dytë dhe në fillim të tre mujorit të tretë.
Nga viti 2023 e në vijim parashikojmë që inflacioni mesatar vjetor të jetë rreth targetit të BSH 3%.
Kjo rritje e përkohshme e inflacionit gjatë këtij viti do ketë efekt frenues të fuqisë blerëse e rrjedhimisht pritet të ketë efekt ngadalësues të kërkesës agregate të brendshme.
Kërkesa agregate e brendshme dhe kërkesa e huaj e ngadalësuar do rezultojë në rritje ekonomike më e ulët se ajo e parashikuar 4.2%.
Edhe në skenarët më pesimistë që ne kemi ku këto goditje supozohen më të forta rezulton se ekonomia do ketë rritje pozitive e do rikthehet në trend normal në afatin e mesëm”.
Sipas ministres, rishikimi i buxhetit, “përmes aktit që propozohet u përgatit si një përgjigje ndaj situatës së vecantë” të krijuar nga kriza energjetike dhe e cmimeve të karburanteve dhe mallrave të konsumit të gjerë.
“Ky rishikim i buxhetit të vitit 2022 ka synim rakordimin e mbështetjes në sektorin e energjisë me 20 mld lekë duke e cuar këtë shumë në 28 miliardë lekë për vitin 2022; financimi i një paketë ndihme për konsumatorët për të përballuar rritjen e cmimeve të konsumit me 6 miliardë lekë”.
Ministrja e Ekonomisë tha se efektet e përballimit të krizës energjetike e rritjes së cmimeve të mallrave të konsumit qeveria ka propozuar “t’i përballojmë përmes dy instrumenteve, rialokimi i shpenzimeve buxhetore dhe rritjes së të ardhurave”.
“Të ardhurat e buxhetit të shtetit me këtë akt normativ rriten me 10 mld lekë. Shpenzimet buxhetore janë rialokuar, pra shkurtuar në masën 16 miliardë lekë me shkurtime të shpenzimeve jo prioritare, administrative dhe shpenzime që mund të shtyhen në vitet në vijim”, tha ministrja.