Shqipëria ka mbetur pa asnjë përfaqësues në Botërorin e 16-të të atletikës që po zhvillohet në Londër.
Atletja Luiza Gega është dëmtuar në kuadër të përgatitjeve për Botërorin gjatë seancës së djeshme stërvitore dhe sipas ekzaminimeve është një dëmtim me pasoja i cili do t’a kushtëzojë me pjesëmarrje, raporton “panorama sport”.
Ky lëndim nuk mund të riaftësohet në kohë dhe kësisoj, atletja ka humbur Botërorin duke lënë Shqipërinë pa asnjë pjesëmarrës në eveniment. Gega do të merrte pjesë në garën 3000m/p më datë 9 gusht.
Kujtojmë se një muaj më parë u dëmtua edhe atleti Izmir Smajlaj. Kampioni i Europës i cili bëri krenar të gjithë shqiptarët me 4 mars duke fituar medaljen e artë në kërcim së gjati në Serbi pësoi gjithashtu një dëmtim në stërvitje që i mohoi pjesëmarrjen në këtë kompeticion kaq të rëndësishëm.
(B.H/Shuplaka)