Kanë dalë detaje të reja nga ngjarja tragjike në Torovicë ku tre pjesëtarë të një familjeje, mes tyre edhe një grua shtatzënë nga fshati Balldre i Lezhës, humbën jetën tragjikisht, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u godit nga një masiv shkëmbor që u shkëput nga mali.
Mësohet se tre pjesëtarët e familjes Zefi ishin nisur në drejtim të fshatit Torovicë për vizitë te familja e nuses, për të festuar festën e fshatit së bashku, po udhëtimi i tyre përfundoi në tragjedi vetëm 2 km larg destinacionit ku ishin nisur. Çifti që humbi jetën ishin martuar vetëm një vit më parë. Familja Zefi përbehej nga katër djem dhe një vajzë, ku më i vogli ishte Valentini, ndërsa dy djemtë më të mëdhenj janë të martuar dhe jetojnë veçmas.
E tmerrshmja ishte se familjarët mbërritën në vendngjarje dhe pamë gjithë tragjedinë e ndodhur, shkëmbin sipër makinës dhe trupat e pajetë.
DETAJE:
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:30 të pasdites së të shtunës në aksin rrugor Balldre-Torovicë. Viktima të kësaj ngjarjeje tragjike mbetën vëllezërit Edmond dhe Valentin Zefi, përkatësisht 29 dhe 31 vjeç, si dhe Aida Zefi, 21 vjeçe. Kjo e fundit ishte bashkëshortja e Edmondit, e cila sipas të dhënave ishte në muajin e 7-të të shtatzënisë, çka e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje.
Tre të rinjtë po udhëtonin me një automjet fuoristradë, tip “Land Rover”, nga Balldreni në drejtim të Torovicës, kur makina u godit nga shkëmbi që u shkëput nga një lartësi prej 200 metrash. Masa e madhe shkëmbore, pasi goditi mes përmes makinën, përfundoi në një parcelë aty pranë. Shenjat që ka lënë nga maja e malit, nga ku u shkëput dhe deri ku është ndalur tregojnë forcën që ka pasur shkëmbi i një madhësie të konsiderueshme.
Shkëmbi ka rënë në mes të makinës, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme tre personave, të cilët kanë pësuar dëmtime të shumta nga goditja që pësoj mjeti i tyre.
Kanë qenë dy kalimtarë të rastësishëm, të cilët kanë parë ngjarjen dhe kanë njoftuar menjëherë policinë për atë që kishte ndodhur. Këta të fundit, së bashku me zjarrfikësit dhe dy autoambulanca shkuan në vendit ku ndodhi ngjarja. Për nxjerrjen e trupave të pajetë nga mjeti janë dashur më shumë se dy orë operacion për shkak të dëmtimeve të shumta që kishte pësuar makina. Zjarrfikësit dhe Policia ndërhynë duke prerë disa pjesë të automjetit për nxjerrjen e trupave.
Familjarët e të rinjve, pasi mësuan për aksidentin, mbërritën në vendin e ngjarjes, ku mes dhimbjes dhe tronditjes panë nga afër trupat e pajetë të të dashurve të tyre. Më pas viktimat u dërguan në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës ku do t’i nënshtrohen mjekësisë ligjore, ndërkohë një grup hetimor ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen.